Partitë politike para interesave të qytetarëve kanë vënë ato partiake

17 korrik 2020 | 10:28

Analisti Albert Krasniqi ka deklaruar se mungesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dialogun me Serbinë, do të lërë vakum institucional në këtë proces.

Ai ka treguar se ky vakum nuk do të jetë vetëm për shkak të peshës së pozitës së tij. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë publikimi i njoftimit për dorëzim të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit do të ketë ndikim në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Mungesa e zotëri Thaçit në procesin e dialogut do të lërë vakum institucional jo vetëm për peshën e pozitës së tij, por edhe për memorien institucionale pasi është personi i vetëm që është në këtë proces që nga fillimi dhe, për më keq, nuk ka pasur transparencë për atë se si janë zhvilluar negociatat dhe cilat kanë qenë çështjet kyçe për të cilat palët kanë hasur në vështirësi për të arritur marrëveshje”, ka thënë Krasniqi.

Ai e ka kritikuar qeverinë Hoti për mungesë të rezultatit për realizimin e dy prioriteteve kryesore të saj: menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Sipas Krasniqit, gjatë kësaj periudhe kohore qeveria ka pasur prioritet dialogun me Serbinë, duke e lënë anash menaxhimin e pandemisë.

“Qeveria Hoti në momentin që është zgjedhur ka dhënë premtimin që do të ketë dy prioritete: menaxhimin me pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Për një muaj prej se ka marrë mandatin, nuk ka dhënë rezultate në asnjërën prej këtyre dy prioriteteve. Gjatë kësaj periudhe qeveria ka pasur prioritet dialogun me Serbinë, duke e lënë anash menaxhimin e pandemisë. Masat e para u morën vetëm pas një muaji, kur gjendja veçse ishte përkeqësuar ndjeshëm”, ka thënë Krasniqi. Ai ka treguar se koalicioni qeverisës është duke hasur në vështirësi në sigurimin e kuorumit të nevojshëm në Kuvend dhe për t’i siguruar votat e nevojshme për të kaluar ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë. Krasniqi ka vlerësuar se në rrethana të tilla funksionaliteti i qeverisë rrezikohet, duke shtuar se kjo situatë kërkon ose zgjerim të koalicionit, ose shpërndarje të Kuvendit për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, si po e shihni rolin e Kuvendit të Kosovës gjatë pandemisë? Në çdo seancë parlamentare po ka përplasje të ndryshme politike dhe jo debate për problemet e qytetarëve. Ende nuk janë ratifikuar pesë marrëveshjet ndërkombëtare ndërsa, më në fund, është miratuar në parim projektligji për rishikimin e buxhetit?
Krasniqi: Sipas një sondazhi të publikuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), organizatë kjo amerikane që vepron në Kosovë, në pyetjen se cilat duhet të jenë prioritetet e Kuvendit të Kosovës, me mundësi të zgjedhjes së dy opsioneve, 63 % e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se Kuvendi duhet ta ketë prioritet aprovimin e pakos ekonomike në mbështetje të ekonomisë së vendit gjatë periudhës së pandemisë, kurse 56 % kanë deklaruar se Kuvendi duhet të iniciojë dhe miratojë legjislacionin e nevojshëm për luftimin e pandemisë. Siç mund të shihet prej përgjigjeve të qytetarëve, pritjet e tyre janë ekonomia dhe shëndeti. Këto pritje janë të kundërta me sjelljet e Kuvendit gjatë periudhës së pandemisë. Partitë politike kanë vënë përpara interesat e tyre elektorale para nevojave të qytetarëve. Ballafaqimi me pandeminë duhet të jetë një luftë e përbashkët, e të gjitha forcave politike dhe secila prej tyre duhet të ofrojë më të mirën prej vetes, pa kalkuluar në përfitime të votave. Në pyetje janë shëndeti publik dhe ekonomia e vendit. Humbja e kësaj lufte do të ketë pasoja afatgjata për vendin. Prandaj partitë politike, deputetët individualisht, duhet të jenë shumë më të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm para se të ndërmarrin veprime për të bllokuar apo parandaluar iniciativa që i kontribuojnë luftës me pandeminë dhe rimëkëmbjes ekonomike. Ky është prej atyre momenteve në histori që kërkon të lihen anash interesat e ngushta personale dhe partiake.

“Epoka e re”: Qeveria ka refuzuar ta çojë në Kuvend projektligjin për pandeminë. Pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19, ekzekutivi ka ndërmarrë disa masa kufizuese, duke e lënë hapur mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Cili është vlerësimi juaj për menaxhimin që qeveria Hoti po i bën pandemisë?
Krasniqi: Menaxhimi i pandemisë nuk është një çështje e lehtë dhe e thjeshtë për asnjë shtet, pasi është një situatë me të cilën po përballemi për herë të parë. Shumë vende me ekonomi të zhvilluar dhe me kapacitete të mëdha shëndetësore, siç janë ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia apo Spanja, kanë pasur probleme serioze dhe menaxhim të dobët të pandemisë përkundër resurseve të shumta që i kanë në dispozicion. Përveç intervenimit nga institucionet shtetërore, rol tejet të rëndësishëm po luan edhe bashkëpunimi i qytetarëve dhe përfillja e rregullave të institucioneve shëndetësore. Ta zëmë, në vendet si Japonia, ku qytetarët kanë treguar kulturë të larë të kujdesit ndaj vetes dhe të tjerëve, duke i mbajtur maskat, ka dhënë rezultate më të mira për parandalimin e shpërndarjes së virusit. Në Kosovë masat nuk po përfillen nga qytetarët dhe kjo, përveç që tregon për një nivel të ulët të kujdesit për mirëqenien e përgjithshme, është edhe pasojë e mosfunksionimit të mekanizmave sanksionues për ata që thyejnë rregullat.
Qeveria Hoti në momentin që është zgjedhur ka dhënë premtimin se do të ketë dy prioritete: menaxhimin me pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Që një muaj prej se e ka marrë mandatin nuk ka dhënë rezultate në asnjërën prej këtyre dy prioriteteve. Gjatë kësaj periudhe qeveria ka pasur prioritet dialogun me Serbinë, duke e lënë anash menaxhimin e pandemisë. Masat e para u morën vetëm pas një muaji, kur gjenda veçse ishte përkeqësuar ndjeshëm. Për më tepër, këto masa nuk duket se janë menduar mirë, më shumë janë nga një qasje ad-hoc njoftimi për të cilat u bë vetëm disa orë para se ato të hyjnë në fuqi, duke mos u dhënë mundësi bizneseve apo qytetarëve të prekur që të bëjnë zgjidhje alternative siç ishte, ta zëmë, mbyllja e kopshteve për fëmijë.

“Epoka e re”: Për çdo votim të rëndësishëm në Kuvend, koalicionit qeverisës po i duhen votat e opozitës. Sa mendoni se mund të zgjasë kjo qeveri, apo pritni një zgjerim të këtij koalicioni?
Krasniqi: Koalicioni qeverisës është duke hasur në vështirësi edhe në sigurimin e kuorumit të nevojshëm në Kuvend për të mbajtur mbledhje plenare, por edhe për t’i siguruar votat e nevojshme për t’i kaluar ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, mos ta përmendim këtu ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve. Në rrethana të tilla, funksionaliteti i qeverisë rrezikohet dhe pashmangshëm kërkon ose zgjerim të koalicionit, ose shpërndarje të Kuvendit për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Përfshirja e PDK-së në koalicion qeverisës është një skenar i mundshëm, por ekziston edhe një mundësi tjetër që PDK-ja të mos përfshihet në qeveri, por ta ketë përkrahjen e partnerëve të koalicionit për ta zgjedhur presidentin nga radhët e veta kurdo që do të ndodhë kjo, si dhe ta luajë rolin e opozitës konstruktive, duke i votuar disa prej ligjeve të rëndësishme të qeverisë, siç mund të jetë Ligj për Buxhetin, si dhe duke i dhënë besimin në rast të ngritjes së mocioneve të mosbesimit. Në sistemin parlamentar të Uestminsterit, kur partitë politike opozitare nuk marrin poste ministrore në qeveri, por që japin mbështetjen për qeverinë në këmbim të shtyrjes përpara të politikave të caktuara, njihet si besim-dhe-mbështetje (confidence-and-supply). Një skenar i tillë do të ishte në interes edhe të qeverisë, pasi do t’i ofronte më shumë stabilitet, por edhe të PDK-së, e cila do ta kishte të drejtën e propozimit të presidentit dhe t’i shmangte zgjedhjet, sidomos në këtë kohë kur lideri i saj është duke u përballur me akuza nga Gjykata Speciale.

“Epoka e re”: Qeveria është deklaruar pro vazhdimit të dialogut me Serbinë. Paralelisht me këtë proces është hapur edhe çështja e aktakuzave të para të Speciales. A mund të ketë Gjykata Speciale ndikim në rifillimin e procesit të dialogut Kosovë – Serbi?
Krasniqi: Publikimi i njoftimit për dorëzim të aktakuzës ndaj z. Thaçi dhe z. Veseli do të ketë ndikim në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ditë më parë u njoftua që Serbia ka dorëzuar edhe dëshmi shtesë në Gjykatën Speciale kundër z. Thaçi. Po ashtu, mungesa e zotëri Thaçit në procesin e dialogut do të lërë vakum institucional jo vetëm për peshën e pozitës së tij, por edhe për nga memoria institucionale, pasi është personi i vetëm që është në këtë proces që nga fillimi dhe, për më keq, nuk ka pasur transparencë për atë se si janë zhvilluar negociatat dhe cilat kanë qenë çështjet kyçe për të cilat palët kanë hasur në vështirësi për të arritur marrëveshje.

“Epoka e re”: Së fundi, kemi parë një moskoordinim në mes të ShBA-së dhe të BE-së për procesin e dialogut. Duket sikur këto vende janë në garë për këtë proces. Si duhet të sillet Kosova në raport me këtë rivalitet të ShBA-së dhe të BE-së në këtë proces?
Krasniqi: Krahas mungesës së koordinimit ndërmjet ShBA-së dhe BE-së për procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duket se ka pasur edhe një lloj të rivalitetit se kush po e merr primatin në këtë proces. Për më keq, është vërejtur edhe një lloj mosharmonizimi ndërmjet politikave të administratës së presidentit Trump me ato të Departamentit të Shtetit, si përfshirja e ShBA-së, të cilën liderët kosovarë me ngulm e kanë kërkuar, ashtu edhe BE-ja janë shumë të rëndësishme për ta mundësuar marrëveshjen dhe garantuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. Kosova nuk duhet të ketë qasje preferenciale ashtu siç ka ndodhur kohën e fundit. Për presidentin Thaçi duket se administrata Trump ka qenë më e preferuar, kurse ish-kryeministri Kurti ka pasur preferenca për BE-në.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht mijërave rasteve në të gjithë vendin, skepticizmi për koronavirusin…