Partnerët e koalicionit qeverisës janë unikë për dialogun

16 korrik 2018 | 15:22

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë të dielën se gjasat janë të mira për arritjen e konsensusit për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka shprehur optimizëm se shumica e subjekteve opozitare do të jenë pjesë e këtij procesi.

“Gjasat janë të mira. Është e mundur që në këtë proces të mos dojë të përfshihet ndonjë parti politike, por shpresoj se shumica do të jenë pjesë e tij. Në këtë fazë të gjithë po ‘luajnë politikë’, por unë besoj se LDK-ja nuk do t’i bllokojë këto bisedime. Edhe ajo ka përgjegjësi para elektoratit të vet dhe në procesin për të cilin po flasim, nuk vendoset për parti e interesa politike të askujt, por për interesa të vendit. Këtë e di edhe LDK-ja dhe shpresoj se do të jetë pjesë e tij. Më shumë nuk kam të drejtë të flas në emër të saj”, ka deklaruar Nitaj.

Ai ka theksuar se për AAK-në është jetike të ketë një konsensus politik jo vetëm për udhëheqësin e bisedimeve, por edhe për platformën dhe për strategjinë, ose qasjen që do ta ketë Kosova në këtë proces.

Në këtë kontekst, Nitaj ka bërë me dije se koalicioni qeverisës është unik sa i përket dialogut me Serbinë.

“Aq sa di unë, janë unikë. E di se bashkërisht po provojnë të sigurojnë një konsensus për këtë proces. Kam përshtypjen se edhe partitë opozitare nuk janë larg. Është kuptuar rëndësia e këtij procesi dhe tashmë të gjithë e dinë se ky proces mund të jetë më i rëndësishmi në, bile, 10 vjetet e fundit, prandaj është e një rëndësie jetike që Kosova në Bruksel të shkojë me një zë. Opozita ka interesat e veta politike, por nuk besoj t’i shpërfaqë në këtë proces që u takon të gjithëve, jo vetëm shumicës”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket kërkesës së Luginës së Preshevës që të drejtat e shqiptarëve të saj të bëhen pjesë e dialogut, Nitaj ka thënë se në këtë fazë nuk është e mundur të ndodhë një gjë e tillë.

“Ata kanë të drejtë të kërkojnë, por nuk besoj se kjo do të mund të realizohet në këtë fazë. Kjo s’ka të bëjë me gatishmërinë e Qeverisë, por me përmbajtjen e bisedimeve. Procesi final i dialogut me Serbinë ka një objektivë, që të arrihet një marrëveshje obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çështja e të drejtave të shqiptarëve, që janë jashtë kufijve të Kosovës, duhet të jetë në agjendën e përhershme të Prishtinës dhe të Tiranës jo vetëm për Luginën e Preshevës, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni apo Mal të Zi. Në këtë sens ata gjithmonë do të jenë pjesë e kësaj agjende”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë Nitaj ka folur edhe për funksionimin e koalicionit qeverisës, duke thënë se Qeveria nuk do ta ketë problem çështjen e numrave dhe të fuqisë për të vepruar.

“Është e vërtetë që shumica nuk i ka numrat ‘komodë’, por deri më tani ka funksionuar mirë. Janë kaluar shumë ligje edhe me 2/3 e votave. Besoj se ‘çështja e numrave’ nuk do të paraqesë problem as në të ardhmen. Ndërsa sa i përket pyetjes suaj hipotetike, se a mund ta çojë deri në fund mandatin kjo Qeveri, atë nuk e di. Në këtë vend edhe qeveritë me mbi 80 vota kanë rënë, por në anën tjetër edhe qeveritë pa numrin minimal të votave kanë funksionuar. Ne jemi vend i çuditshëm. Kurrë nuk mund ta parashohësh stabilitetin e një qeverie. Këtu qeveritë kurrë nuk kanë rënë për shkak të numrave, por për shkak të pafuqisë për të vepruar. Kjo Qeveri njëherë përnjëherë nuk e ka atë problem”, ka theksuar Nitaj.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, koalicioni qeverisës, partnerët e tij, a janë unikë për procesin e dialogut
Nitaj: Aq sa di, janë unikë. E di që bashkërisht po provojnë të sigurojnë një konsensus për këtë proces. Kam përshtypjen se edhe partitë opozitare nuk janë larg. Është kuptuar rëndësia e këtij procesi dhe tashmë të gjithë e dinë se ky proces mund të jetë më i rëndësishmi në, bile, 10 vjetët e fundit, prandaj është e një rëndësie jetike që Kosova në Bruksel të shkojë me një zë. Opozita ka interesat e veta politike, por nuk besoj t’i shpërfaqë në këtë proces që u takon të gjithëve dhe jo vetëm shumicës.

“Epoka e re”: A është problematike për AAK-në udhëheqja e dialogut nga presidenti Hashim Thaçi?
Nitaj: Për AAK-në është jetike të ketë një konsensus politik jo vetëm për udhëheqësin e bisedimeve, por edhe për platformën dhe për strategjinë ose qasjen që do ta ketë Kosova në këtë proces. Natyrisht, është me rëndësi shumë të madhe që ekipi negociator të jetë gjithëpërfshirës. Ne nuk e kemi fare problem se kush do të jetë udhëheqësi i ekipit. Mund të jetë kushdo, qoftë presidenti, qoftë dikush nga shumica parlamentare, apo edhe nga opozita. Mjafton që për këtë të ketë pajtim.

“Epoka e re”: Si e shihni mosgatishmërinë e opozitës, në veçanti të LDK-së, për të mos u bërë pjesë e procesit të dialogut në fazën finale?
Nitaj: Unë nuk e kam atë përshtypje. Në këtë fazë të gjithë po ‘luajnë politikë’, por unë besoj se LDK-ja nuk do t’i bllokojë këto bisedime. Edhe ajo ka përgjegjësi para elektoratit të vet dhe në procesin për të cilin po flasim, nuk vendoset për parti e interesa politike të askujt, por për interesa të vendit. Këtë e di edhe LDK-ja. Unë shpresoj se ajo do të jetë pjesë e tij. Më shumë unë nuk kam të drejtë të flas në emër të saj.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh rrethanat aktuale, a mund të arrihet konsensusi dhe të formohet grupi i unitetit për këtë proces?
Nitaj: Gjasat janë të mira. Është e mundur që në këtë proces të mos dojë të përfshihet ndonjë parti politike, por shpresoj se shumica do të jenë pjesë e tij.

 “Epoka e re”: Kuvendi i Kosovës është duke funksionuar me vështirësi. Vetëm në seancat e fundit disa projektligje nuk ka arritur të votohen për shkak se opozita është duke pamundësuar kuorumin gjatë vendimmarrjes. Në rrethana të tilla, sa mund jetë funksional koalicioni qeverisës dhe a mund ta çojë deri në fund mandatin?
Nitaj: Nuk është se disa projektligje nuk janë votuar vetëm për shkak të opozitës, por edhe të shumicës. Ka rastisur që disa deputetë të shumicës kanë qenë në udhëtime zyrtare dhe s’kanë mundur të votojnë. Është e vërtetë se shumica nuk i ka numrat ‘komodë’, por deri më tani ka funksionuar mirë. Janë kaluar shumë ligje edhe me 2/3 e votave. Unë besoj se ‘çështja e numrave’ nuk do të paraqesë problem as në të ardhmen. Ndërsa sa i përket pyetjes suaj hipotetike, se a mund ta çojë deri në fund mandatin kjo Qeveri, atë nuk e di. Në këtë vend edhe qeveritë me mbi 80 vota kanë rënë, por edhe qeveritë pa numrin minimal të votave kanë funksionuar. Ne jemi vend i çuditshëm. Kurrë nuk mund ta parashohësh stabilitetin e një qeverie. Këtu qeveritë kurrë nuk kanë rënë për shkak të numrave, por për shkak të pafuqisë për të vepruar. Kjo qeveri njëherë përnjëherë nuk e ka atë problem.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës edhe një herë kanë kërkuar që të drejtat dhe interesat e tyre të bëhen pjesë e dialogut Kosovë – Serbi. A është e gatshme kjo Qeveri dhe kjo klasë politike të realizojë këtë kërkesë?
Nitaj: Ata kanë të drejtë të kërkojnë, por nuk besoj se kjo do të mund të realizohet në këtë fazë. Kjo s’ka të bëjë me gatishmërinë e Qeverisë, por me përmbajtjen e bisedimeve. Procesi final i dialogut me Serbinë ka një objektivë: që të arrihet një marrëveshje obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çështja e të drejtave të shqiptarëve, që janë jashtë kufijve të Kosovës, duhet të jetë në agjendën e përhershme të Prishtinës dhe të Tiranës jo vetëm për Luginën e Preshevës, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni apo Mal të Zi. Në këtë sens ata gjithmonë do të jenë pjesë e kësaj agjende.

Shqipe Hetemi

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i sapozgjedhur i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat…