
Partneritet i fortë dhe miqësi e qëndrueshme mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha ka pritur sot në një takim njoftues Atasheun e ri Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, i cili mbulon Kosovën me seli në Sofje të Bullgarisë.
Në këtë vizitë, Collins ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të FBI-së nga Sofja dhe përfaqësues të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.
Drejtori i Përgjithshëm e falënderoi Collinsin për vizitën e tij në Policinë e Kosovës dhe i uroi suksese në pozitën e re si Atashe Ligjor i FBI-së.
Gjatë takimit u diskutua për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së.
Drejtori i Përgjithshëm deklaroi se ky bashkëpunim ka qenë gjithmonë i shkëlqyer dhe ka prodhuar rezultate të prekshme në fushën e sigurisë.
Ai shprehu gatishmërinë e tij për të forcuar më tej këtë partneritet në të ardhmen.
Theks i veçantë u vu mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera me interes të përbashkët.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar partneritetet ndërkombëtare në funksion të sigurisë së qytetarëve.