Parullat e studentëve (4)

23 shtator 2021 | 17:32

Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë / “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës” 

Prof. ma. Adem Ademi

Parullat dhe transparentët kishin këtë përmbajtje: “Bashkim”, “Trepça punon për të tjerët”, “Rroftë klasa punëtore”, “Kushte më të mira”, “Rroftë populli vëlla shqiptar”, “Jemi shqiptarë, e jo jugosllavë”, “Kosova është e jona”, “Kosova e kosovarëve”, “Bashkimi i viseve shqiptare”, “Të dënuarit politik të kthehen në Kosovë”, “I kërkojmë shokët e burgosur”, “Republikë” e të tjera. Kah ora 13:30 një grup i konsiderueshëm studentësh tentoi të depërtojë në drejtim të qendrës së qytetit me qëllim që t’i pengonte manifestimet me rastin e pritjes së stafetës së rinisë, por u pengua nga ana e forcave të sigurimit. Ky grup nuk deshi të shpërndahet, e as nuk pranoi biseda në universitet, por filloi t’i gjuajë forcat e sigurimit me gurë dhe me sende të tjera, duke tentuar të shpërthente bllokadën. Një student demonstrues shtiu me armë zjarri, por nuk e qëlloi askënd. Pas lëshimit të këtyre parullave dhe tërheqjes së aktivistëve tanë, një numër i konsiderueshëm studentësh të tubuar u larguan nga ai tubim, kështu që mbetën nja 400. Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i Vetëmbrojtjes shoqërore të KSA të Kosovës duke vlerësuar karakterin armiqësor të demonstratave dhe për ta penguar daljen e demonstruesve në rrugët e qytetit vendosi që njësia e milicisë, që ishte caktuar më parë, ta përdorë gazin lotsjellës, e kjo edhe u zbatua. Në saje të efektit të mjeteve kimike grupi u shpartallua, por më vonë prapë u tubua në një terren më të gjerë të kompleksit të studentëve. Kah ora 16:30 organizatorët e demonstratave u prin studentëve të tubuar kah njësia e milicisë, duke i gjuajtur milicionerët me gurë, me qëllim që ta shpërthenin rrethimin dhe të drejtoheshin kah qendra, ku mbaheshin manifestime me rastin e pritjes së stafetës së rinisë. “Në Prishtinë më 26 mars 1981 ishte planifikuar ardhja e njohur si e stafetës së Titos. Sipas tubimit të hershëm të studentëve në qendrën studentore, për organet e sigurisë ishte e ditur se atë ditë do të ndodhë diçka. Rreth orës 7:00 në plate rreth konviktit të studentëve u tubuan më se 500 studentë, pas gjysmë ore u shtua njëfishi i studentëve prezent”.
Studentët filluan të brohorasin parullat “Kosova Republikë”, “Ne jemi shqiptarë e nuk jemi jugosllavë”, “Bashkim me Shqipërinë”, “Poshtë revizionizmi jugosllavë” e tё tjera. Pastaj diku “Rreth orës tre të pasdites, një grup studentësh të tubuar përpara platos së konvikteve, prej tyre afër 300 vetë të rinj dhe të reja me parulla të shkruara ecnin rrugës kryesore të qytetit. Një nga demonstruesit u ngrit në shtyllën elektrike, mori flamurin shqiptar në dorë, kurse flamurin Jugosllav e futi nën këmbët e tij, përball ndërtesës së Radio Prishtinës”.
RS e Serbisë urgjentisht kishte mobilizuar forca të shumta policore nga disa qytete të saj, i kishte stacionuar në një qytet të afër kufirit me Kosovës më 11 mars, më 26 mars dhe para shpërthimit të demonstratave më 1 prill. Forcat policore serbe pritnin lejen nga organet e Kosovës për të hyrë dhe për të intervenuar ndaj demonstruesve. Organet e Kosovës nuk lejuan hyrjen e forcave serbe deri më 1 prill, kur edhe u aktivizua plani politik-ushtarak i federatës jugosllave “Rubin 81. Kurse, Sekretariati Federativ dërgoi përforcime policore në Prishtinë si: njësinë speciale dhe njësinë e policisë së bashkuar. Çdo intervenim i tyre ishte brutal ndaj studentëve shqiptarë. Demonstruesit u tërhoqën kah mensa e studentëve, për t’u përgatitur për sulmin kryesor, që të pamundësonin pritjen e stafetës së rinisë, e cila ishte paraparë që të vijë në Prishtinë kah ora 18:00”. Një orë më herët policia kishte intervenuar te mensa e studentëve duke përdorur trupa të shumta policie dhe mjetet e tyre. Përkundër intervenimit agresiv të njësisë speciale të SFPB për të shtypur masën e studentëve. “Një grup prej 15 personash u munduan që nëpërmjet fakultetit juridik të futet në qendër të qytetit ku mbahej mitingu për stafetën e rinisë, ku e pritnin mese 40.000 mijë qytetarë. Ky grup me flamur shqiptar të ngritur në krye, arriti të mbërrijë disa qindra metra te bina”.
Studentët kishin për qëllim pengimin e pritjes së stafetës, defilimi me parulla përball udhëheqjes, policisë dhe qytetarëve të pranishëm. Intervenimi brutal i policisë ua pamundësoi studentëve prishjen e manifestimit qendror të pritjes së stafetës.
Intervenimi brutal i policisë së ardhur nga Beogradi krijoi bilancin: 32 studentë pësuan lëndime dhe u 21 burgosën.
Në demonstratat e 26 marsit policia federative nëpërmjet dhunës së tepruar arriti të ndalojë ritmin e demonstratave studentore nëpër rrugët e Prishtinës, por nuk arriti ta mposhtë vullnetin dhe synimet e studentëve në mobilizimin, masivizimin dhe shtrirjen e demonstratave masive në tërë Kosovën dhe në disa vise shqiptare.
Nga demonstratat e 26 marsit deri më 1 prill 1981, e karakterizohet periudhë e shkurt kohore në përpjekjet e grupeve, organizatave ilegale dhe grupet studentore shqiptare, që të senzibilizojnë popullatën shqiptare në çdo lagje të qyteteve, fshatrave dhe vendbanimet tjera shqiptare në organizimin e demonstratave masive dhe të fuqishme kundër pushtuesit shekullor serb. Jehona e ftesës së tyre u shtri dhe u përkrahë nga masa e gjerë studentore, klasa punëtore, nxënësit e shkollave të mesme dhe shtresa të tjera qytetare e fshatare nga Kosova dhe viset tjera shqiptare. Më 29 mars në territorin e Maqedonisë u gjetën gjithsej 130 kopje fletëpalosje me përmbajtje anti-maqedonase dhe anti-jugosllave. Materialet janë gjetur në Shkup dhe fshatra me banim shqiptar. Në Prishtinë u gjetën 4 parulla (studentët në liri). Në Mitrovicë, në mensën e studentëve, 4 studentë u ankuan hapur për ushqimin e dobët, por nuk ju bashkëngjit askush nga studentët. Në Shtëpinë e studentëve në Sarajevë “Mahmut Bushatlia” u tubuan një grup prej 25 studentëve shqiptarë që të njihen me ngjarjet e Kosovë. Ju drejtua një student shqiptar i cili kishte vizituar Prishtinën më 26 mars. Theksoi se: në dallim me demonstratat e 11 marsit – të cilat ishin “spontane” demonstratat e fundit ishin të përgatitura dhe të organizuara dhe morën pjesë 15000 mijë student. “Gjatë atyre ditëve në disa fakultete dhe shkolla të mesme, nxënësit dhe studentët në shenjë solidarizimi me kolegët e vet [që ishin rrahur, plagosur, e burgosur, autori], kishin bojkotuar procesin mësimor”.
Me studentët ishin solidarizuar një numër i profesorëve dhe asistentëve të cilët nuk kishin ardhur në fakultete. Trazirat ndjeheshin edhe në Qendrën studentore ku shihej se si studentët tuboheshin, merreshin vesh dhe largoheshin. Filluan bojkotin edhe shkollat e mesme. Në Obiliq më 31 mars, fillon akti i tretë i dramës. Në demonstrata dalin 150 nxënës, dhe pas intervenimit të policisë, grupit të këtyre nxënësve ju bashkëngjitën edhe punëtorët e Ndërmarrjes Ndërtimore “Ramiz Sadiku” duke i marrë nën mbrojtje nxënësit”.
Në Vushtrri rreth 120 nxënës të Qendrës të shkollimit të mesëm rreth orës 14:00 u tubuan në oborrin e shkollës, nuk pranonin të përcjelli mësimin në shenjë solidarizimi me studentët. Në Podujevë u shpërndan 13 shënime, në të cilat bëhet ftesë të ndërpritet mësimi “Deri sa të lirohen vëllezërit studentë. Më 1 prill, nxënësit e shkollave të mesme në Prishtinë dhe në Podujevë, zbatuan planin e caktuar, në të njëjtën kohë në ora 11:00, nisën demonstratat nga qendrat e shkollave të mesme, demonstruesit gjatë marshimit nëpër rrugë gjetën përkrahjen nga masa e gjerë e qytetarëve. “Këtu në Prishtinë, demonstratat filluan nga oborri i shkollës së Bujqësisë. Rreth 3000-4000 mijë nxënës të shkollës së Bujqësisë dhe Ekonomikut, grupa e punëtorëve të KNI “Ramiz Sadiku” dhe studentët e Fakultetit Ekonomik, arritën para konvikteve të studentëve. Me demonstruesit u bashkuan disa punëtorë ndërtimi dhe më vonë punëtorët nga fabrika e Amortizatorëve -Prishtinë, nga koncerne të ndryshme ndërtimi në Prishtinë dhe nga kompania aty afër në Obiliq”. Pastaj demonstruesve ju bashkëngjiten nxënës nga shkollat e tjera të mesme dhe medresistët. Demonstruesit thërrisnin parulla që përfshinin “Kosova për kosovarët”, “Kosova Republikë”. “Rroftë Republika e Kosovës”, “Lironi shokët”, “Trepça punon Beogradi ndërton”, e të tjera parulla.
Demonstruesit barrikadohen deri në mbrëmje nëpër rrugët e Prishtinës, me përkrahjen shumë të madhe të qytetarëve. Policia Federative dhe ato nga viset tjera gjatë ditës intervenuan disa herë në mënyrë agresive ndaj demonstruesve. Fiks në ora 19:15 minuta, filloi sulmi i pamëshirshëm i policisë, me bomba gazi lotsjellës dhe shkopinj gome. Sulmet e policisë ishin të ashpra, përdornin çdo mjet që posedonin, autoblindat, armët e zjarrit, lotsjellësin, shkopinjtë, për t’i thyer demonstruesit shqiptarë. Gjatë përballjes me dhunën policore numri i demonstruesve të plagosurve, i të rrahurve i të burgosurve shtohej, kurse, motivi dhe marshimi i demonstruesve shqiptar nëpër rrugë të qytetit ishte i pa thyeshëm, edhe përkundër shtimit të forcave policore nga të gjitha viset e ish-Jugosllavisë “Gjendja në Prishtinë bëhej gjithnjë e më e kritike. Në të njëjtën natë, nga drejtimet e Kralevës, Nishit dhe Shkupit dhe nga aeroportin e Prishtinës, fillojnë të arrijnë përforcimet e policisë nga të gjitha Republikat dhe KSA e Vojvodinës.
Për shkak të agresivitetit të policisë Jugosllave ndaj qytetarëve të Kosovës në Prishtinë më 1 prill 1981, një gazetar i shtypi serb kishte krijuar bindjen se të nesërmen më 2 prill, nëpër rrugët e Prishtinës nuk do të ketë asnjë demonstrues shqiptar. “Edhe përkundër bindjes se të nesërmen nuk do të guxojnë të paraqitet në demonstrata askush, të nesërmen në mëngjes në orën 6:00 grupi i punëtorëve të ndërmarrjes “Ramiz Sadiku”, të cilëve ju bashkëngjiten edhe punëtorët e kolektivit ndërtimor “Kosova” nga Vushtrria, demonstruan rrugëve të qëndresë së qytetit. Pas intervenimit të shpejtë të milicisë, punëtorët u shpërndan, por arritën shpejt të formojnë grupe të reja. Rreth orës 9:00 ju bashkëngjiten edhe punëtorët e “Pemëtarisë”, “Rrugës”, “Tjegullores” nxënësit e shkollës së mesme të orientuar “Xhevdet Doda”, nxënësit e Medresës së Mesme “Alauddin” në Prishtinë dhe nxënësit e shkollave të tjera. Çdo intervenim i policisë ndaj demonstruesve ishte më agresiv se tjetri. U vranë dy demonstrues dhe u plagos një numër prej tyre. Demonstratat shtrihen në Obiliq, Lipjan, Gllogovcë dhe Vuçitërnë. Në mbledhjen e 2 prillit, kryesuesi i mbledhjes Mahmut Bakalli i njoftonte të pranishmit: “Përveç vendimit të Kryesisë së RSFJ-së, është dhënë urdhër miratim i planit Rubin. Pas miratimit të Planit Rubin 81. Nëpër rrugët e Prishtinës hyjnë tanket. Në qiellin e Prishtinës aeroplanët fluturojnë, kurse policia merr urdhër për aksione energjike”.
Më 3 prill në Mitrovicë grupi e punëtorëve u nis nga fabrika Elektroliza, por u penguan. Porse nëpër rrugë doli një grup prej 150-200 punëtorëve me flamuj, duke brohoritur parullat “Trepça është e jona”, “Duam Republikë”, “Jepna kushtetutën” e të tjera. Me rastin e intervenimit të Policisë u lënduan8 qytetarë”.
Në Ferizaj në mëngjes, grupi prej 30 punëtorëve shprehi pakënaqësitë për shkak të masave të organeve të sigurisë dhe APJ. Në rrugë dolën rreth 150 punëtorë, më vonë ju bashkëngjitën diku rreth 1000 mijë demonstrues. U lënduan apo u plagosën nga armët e zjarrit 21 qytetarë (7 rëndë).
Në Vushtrri dolën nëpër rrugët e qytetit një grup i madh i punëtorëve të cilët u përplasen me policinë u vranë 2 dhe u plagosën 5 qytetarë. Në Podujevë në krye të kolonës së demonstratave ishin 6 profesorë të qendrës shkollore “8 Nëntori”.
Me 4 prill Situata në Prishtinë dhe në shumicën e qyteteve të Kosovës është e qetë. Ka informacione të shumta për demonstrata të reja dhe incidente të rënda në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë dhe në vetë Prishtinën”.

(Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Drejtësisë (MD) ka njoftuar se një delegacion i…