Pas 20 vitesh, ambasadori Reka rikthehet në Universitetin e Harvardit. Flet për shtetndërtimin e Kosovës
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka, para profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Harvardit, ka folur për rrëfimin e suksesshëm të shtetndërtimit demokratik të Kosovës.
Reka ka theksuar se sot, 26 vite nga çlirimi dhe 17 vite pas pavarësimit, Republika e Kosovës është shtet model për demokraci, sundim të ligjit dhe për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Postimi i plotë i tij:
Kthimi në Harvard pas 20 vitesh.
Sot, në Universitetin e Harvardit, duke folur për rrëfimin e suksesshëm të shtet-ndërtimit demokratik të Kosovës, para profesorëve dhe studentëve të: Minda de Gunzburg Center for European Studies; Global Affairs Program, Institute of Politics at Harvard Kennedy School; dhe Harvard College Albanian Students Association.
Demokracia më e re në Evropë dhe e para në Ballkan, u lind në luftën çlirimtare kundër: kolonializmit, aparteidit dhe gjenocidit të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës. Sot, 26 vite nga çlirimi dhe 17 vite pas pavarësimit, Republika e Kosovës është shtet model për demokraci, sundim të ligjit dhe për mbrojtjen e pakicave kombëtare.




