Pas 23 vitesh…

12 qershor 2022 | 20:38

Shkruan: Blerand Stavileci

Secili nga ne ka histori të veçanta përgjatë rrugëtimeve jetësore. Secili në një moment apo kohë të caktuar kemi zgjedhur njëfarë drejtimi dhe kemi nisur t’i farkëtojmë bindjet tona.

Megjithatë, kur jemi të vegjël e kemi më të vështirë për të vendosur dhe zakonisht ndikohemi prej prindërve. Mendimi i tyre bëhet besimi ynë. Kjo vlen pothuajse për të gjitha fushat, e veçanërisht për temat publike dhe politikën. E tillë ishte edhe përvoja ime gjatë fëmijërisë.

Blerand Stavileci

Vitet e 90-ta ishin për të gjithë ne shumë të vështira, e edhe për familjen time. Nuk dallonim shumë nga njëri-tjetri për nga vuajtjet, megjithëse dallonim shumë nga një pjesë e madhe për nga bindjet. Prindërit e mi i larguan dhunshëm nga puna, si shumicën e prindërve tanë. Babai im, Masari, ishte shumë aktiv me shkrimet dhe aktivitetet e tij prej intelektuali në shërbim të kauzës kombëtare. Më kujtohet kur polemizonte me ish zyrtarin e lartë jugosllav, Budimir Lonçar, në fillimvitet e 90’ta. Edhe pse i ri në moshë kisha prirje dhe doja t’i lexoja ato shkrime para se t’i publikonte në shtypin e asaj kohe. Shkruante në makinën e tij të shtypit. Derisa ai bënte përmirësimet mundohesha ta asistoja dhe aty-këtu t’ia tërhiqja vëmendjen për ndonjë gabim ortografik të rastësishëm që i rrëshqiste pa e parë. Isha përherë krenar me aktivizmin e tij politik kombëtar dhe guximin për t’u përballur.

Që nga ajo kohë idealizoja rezistencën aktive dhe më vonë ushtarët e çlirimtarët tanë. Njerëzit e luftës për familjen time ishin të shenjtë. Kursi jonë politik e kombëtar ishte konstant. Qëndrimet dhe bindjet tona politike nuk ndryshonin asnjëherë. Për mua kjo ishte mburrje e madhe, referencë e patundshme e rinisë sime të hershme, e cila do të vazhdonte të mbetej e tillë.

Mburrje edhe më e madhe ishte kur nisa të aktivizohesha politikisht. Nuk kishte ndjenjë më të mirë sesa ajo që ata të cilët i idealizonim dje të ishin prijësit tanë sot. Megjithatë, jo pak njerëz dyshonin në sinqeritetin e angazhimit politik. Mbase shumë nuk e dinin prejardhjen e bindjeve tona politike dhe paragjykonin mbi baza të tjera. Mirëpo, arsyet ishin po të njëjtat. Ato të vjetrat. Madje edhe më të fuqishme. Ashtu si mora mësim dhe shembull nga babai im.

Partia Demokratike e Kosovës, njëra nga trashëgueset gjenetike të UÇK-së, u bë familja ime natyrshëm. Për Kosovën ajo bëri punë shumë të mira dhe të paharrueshme. Nuk ka vepër ose projekt shtetëror sot që nuk e ka vulën e saj. Udhëheqësit e saj, figura me histori të jashtëzakonshme për Kosovën, nga disa u tentuan të diskreditohen duke ngritur tregime imagjinare e konspirative. Madje edhe sot, 23 vite pas çlirimit dhe më shumë se 3 dekada aktivitet politik për kauzën kombëtare, ata janë në shënjestër të sulmeve të atyre që e donin robërinë tonë dhe të atyre që dhanë fare pak për lirinë dhe vendin tonë.

Sot më shumë se kurrë Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexhepi dhe të tjerët kanë nevojë për mbështetjen tonë. Të krejt popullit, pa dallim. Lufta jonë, drejtësia e saj, çiltërsia e pamohueshme, janë të lidhura ngusht me disa nga figurat më markante që ka nxjerrë kombi ynë e që sot paguajnë ende për lirinë tonë. Dhe këto nuk po i them si bindje konformiste e një politikani që ka afërsi ideologjike me ta, por po i them me bindje të plotë si ai fëmija që ulej pranë babait kur ai polemizonte me politikanët serbë në mbrojtje të kauzës sonë dhe për të cilën botonte punime e shkruante libra me guximin më të lartë intelektual dhe kombëtar. Ato tekste e qëndrime të asaj kohe ishin dhe janë plotësisht në përputhje me ato për të cilat sot padrejtësisht akuzohen çlirimtarët tanë, e për të cilat fatkeqësisht akoma ka politikanë që i kryqëzojnë në emër të agjendave e kauzave të tjera.

Sot, krejt Kosova dhe krejt shqiptarët jemi me çlirimtarët. Ata janë unikë dhe po qëndrojnë edhe më unikë, sepse mbi kurrizin e tyre po tentohet të rishkruhet një histori tjetër për Kosovën. Këtë nuk duhet ta pranojmë e as ta lejojmë. Ata janë secili nga ne. Dhe ne duhet të jemi secili nga ata. Një komb. Një gjak. Një luftë. Një frymë. Një qëllim. Një nder. Një krenari. Dallimet e brendshme politike qoftë edhe ndonjëherë me fajin e tyre s’duhet të jenë arsyetime për qëndrimet tona të panjerëzishme. Duke i mbrojtur dhe përkrahur ata mbrojmë nderin tonë. Nderin shqiptar. Mbrojmë krenarinë më të ligjshme që kemi – UÇK-në. Lufta e saj e pastër dhe e çiltër – është drejtësia më e madhe historike që kemi prodhuar.

Fundja liria që po e gëzojmë sot nuk na është dhuruar. Dikush ende po paguan për të. E fatura më e lirë që ne mund ta mbulojmë pa pagesë është uniteti, njerëzia dhe solidarësia.

Sot, 23 vite pas lirisë, të qenët unikë, njerëzorë e solidarë, është më e pakta që mund ta bëjmë për çlirimtarët, lirinë dhe vendin. Sensi i kësaj përkatësie duhet të na udhëheqë në rrugëtimin e ri të Kosovës. Kjo duhet të jetë vlera jonë e re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i Kosovës në ragbi ka arritur që ta shënojë…