Pas 25 vitesh burgim, kreu i PKK-së shpall fundin e luftës dhe bën thirrje për paqe me Turqinë

09 korrik 2025 | 16:13

Në një video të rrallë të publikuar të mërkurën, lideri i burgosur i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Ocalan, ka shpallur fundin e luftës së armatosur të grupit ndaj Turqisë duke bërë thirrje për kalim të plotë në politikë demokratike.

Sipas Reuters, deklarata e regjistruar në qershor dhe publikuar nga agjencia Firat, e afërt me PKK-në, përfaqëson një moment potencialisht historik në konfliktin katërdekadësh mes Turqisë dhe lëvizjes kurde.

“Faza e luftës së armatosur ka përfunduar. Kjo nuk është një humbje, por një fitore historike,” raportohet se ka thënë Ocalan, i ulur përpara kamerës me një bluzë të thjeshtë dhe një gotë uji përpara – video e parë që publikohet që nga arrestimi i tij në vitin 1999.

Bëhet e ditur se ai i ka bërë thirrje parlamentit turk të krijojë një komision për të mbikëqyrur çarmatimin dhe për të menaxhuar një proces të gjerë paqeje:

“Tani, faza e luftës së armatosur duhet të zëvendësohet vullnetarisht me fazën e politikës demokratike dhe të drejtës,” ka thënë ai.

PKK-ja, e cila ka luftuar që nga viti 1984 kundër shtetit turk – fillimisht me synimin për të krijuar një shtet të pavarur kurd – ka shkaktuar mbi 40,000 viktima dhe ka sjellë ndarje të thella sociale e politike. Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë PKK-në organizatë terroriste.

Kujtojmë se PKK-ja mori vendim të shpërbëhet në muajin maj, pas një thirrjeje me shkrim nga Ocalan. Procesi i çarmatimit do të fillojë këtë të premte në qytetin Sulejmanije të Irakut Verior, ku militantët e PKK-së do të dorëzojnë armët në grupe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën për Shqipërinë, duke vlerësuar progresin…