Pas 6 tetorit Kadri Veseli do të jetë kryeministër

02 shtator 2019 | 13:18

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka thënë se kjo parti nuk ka dashur të bëjë koalicione parazgjedhore meqë ato e kanë dëmtuar në të kaluarën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se gara zgjedhore e 6 tetorit do të jetë interesante dhe konkurruese.

Sipas Mustafës,  PDK-ja dhe LDK-ja do të garojnë për vend të parë, kurse LV-ja dhe koalicioni AAK-PSD për vendin e tretë.

“Ne nuk kemi tentuar të bëjmë koalicion parazgjedhor sepse nga kjo lidhje kemi pasur mjaft dëme nga e kaluara. Lidhja parazgjedhore e quajtur PAN vetëm sa i ka sjellë dëme të mëdha PDK-së. I ka bërë dëm të konsiderueshëm në vota, por edhe gjatë gjithë mandatit të z. Haradinaj me krejt skandalet e bëra nga ai dhe qeverisja e tij. Gara do të jetë interesante dhe mjaft konkurruese, sepse ata që po garojnë kësaj here kanë trup relativisht të mirë zgjedhor. Janë dy partitë e mëdha që tradicionalisht janë rivale dhe luftojnë për vendin e parë dhe LV-ja e AAK-ja me PSD-në që luftojnë për vendin tretë dhe të katërt”, është shprehur ai.

Mustafa ka thënë se PDK-ja do të jetë alternativa më e mirë për qytetarët e Kosovës edhe në këto zgjedhje.

“PDK-ja me reformën e saj të brendshme dhe me risitë programore dhe në listën e kandidatëve do të jetë larg më atraktive dhe më joshëse për publikun e Kosovës. Ka pasur edhe ndonjë lëshim e gabim nga e kaluara, por PDK-ja di dhe guxon edhe të korrigjohet, edhe të vazhdojë të marrë vendime të mira e të mëdha”, ka theksuar ai, duke shtuar se PDK-ja sa e ka të metë qeverisjen e gjatë, atë e ka edhe përparësi. “Asaj populli i Kosovës i beson për vendimet e mëdha dhe të mirat që ia ka sjellë këtij vendi, por edhe e akuzon për disa gabime dhe lëshime”, ka deklaruar Mustafa.

Sipas tij, vetëm PDK-ja dhe Kadri Veseli mund të marrin vendime të mëdha dhe ta luftojnë krimin e korrupsionin.

“Krimi dhe korrupsioni janë kontribut i të gjithëve që e qeverisen Kosovën. PDK-së i vishen më shumë gabime sepse qeverisi më së gjati, por asaj edhe i jepet merita nga populli për lirinë e vendit, për pavarësinë dhe për krejt makroinfrastrukturën që ka ndodhur në Kosovë. Ata që kanë ditur  të bëjnë kthesa historike nga e kaluara jo e largët, dinë të bëjnë edhe këtë kthesë të madhe e që është lufta e pakompromis sistemore e së keqes brenda nesh si krimi, korrupsioni dhe nepotizmi”, ka thënë Mustafa.

“Epoka e re”: Z. Mustafa, PDK-ja ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet e 6 tetorit. Pse këtë herë nuk bëtë koalicione parazgjedhore? Dëshironi t’i masni forcat të vetëm apo ju refuzuan partitë e tjera?
Mustafa: Ne nuk kemi tentuar të bëjmë koalicion parazgjedhor sepse nga kjo lidhje kemi pasur mjaft dëme nga e kaluara. Lidhja parazgjedhore e quajtur PAN vetëm sa i ka sjellë dëme të mëdha PDK-së. I ka bërë dëm të konsiderueshëm në vota, por edhe gjatë gjithë mandatit të z. Haradinaj me krejt skandalet e bëra nga ai dhe qeverisja e tij.

“Epoka e re”: Edhe dy partitë e tjera garojnë te vetme, LDK-ja dhe LV-ja, si dhe në garë do të jenë dy koalicione nga radhët e shqiptarëve. Si e shihni këtë garë?
Mustafa: Gara do të jetë interesante dhe mjaft konkurruese sepse ata që po garojnë këtë herë kanë trup relativisht të mirë zgjedhor. Janë dy partitë e mëdha që tradicionalisht janë rivale dhe luftojnë për vendin e parë dhe LV-ja e AAK-ja me PSD-në që luftojnë për vendin 3 dhe 4. PDK-ja me reformën e saj të brendshme dhe me risitë programore dhe në listën e kandidatëve do të jetë larg më atraktive dhe më joshëse për publikun e Kosovës. Ka pasur edhe ndonjë lëshim e gabim nga e kaluara, por PDK-ja di dhe guxon edhe ta korrigjojë, edhe të vazhdojë të marrë vendime të mira e të mëdha.

“Epoka e re”: Sa do të jetë sfidues për PDK-në ky proces zgjedhor duke pasur parasysh se është në pushtet prej vitit 2007?
Mustafa: PDK-ja sa e ka të metë qeverisjen e gjatë, atë e ka edhe përparësi. Asaj populli i Kosovës i beson për vendimet e mëdha dhe të mirat që ia ka sjellë këtij vendi, por edhe akuzon për disa gabime dhe lëshime. PDK-së i besohet kur kërkon falje derisa të tjerave nuk u besohet as kur bëjnë ndonjë punë të mirë.

“Epoka e re”: Fushata e PDK-së do të bazohet në premtimin për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit. Si do t’i luftoni këto dukuri kur të gjitha partitë e akuzojnë PDK-në se i ka instaluar në shtet këto dy të këqija?
Mustafa: Krimi dhe korrupsioni janë kontribute të të gjithëve që e qeverisen Kosovën. PDK-së i vishen më shumë gabime sepse qeverisi më së gjati, por asaj edhe i jepet merita nga populli për lirinë e vendit, për pavarësinë dhe për krejt makroinfrastrukturën që ka ndodhur në Kosovë. Ata që kanë ditur  të bëjnë kthesa historike nga e kaluara jo e largët, dinë të bëjnë edhe këtë kthesë të madhe e që është lufta e pakompromis sistemore e së keqes brenda nesh si krimi, korrupsioni dhe nepotizmi.

“Epoka e re”: Si po ju ecën fushata në Anamoravë dhe a pritet të ketë ndryshime në këtë pjesë, pra të kthehet vota pro PDK-së?
Mustafa: Fushata po shkon mirë. Dega në Gjilan dhe të tjerat në Anamoravë janë konsoliduar dhe po e bëjnë maksimumin për të dalë fituese sivjet. Thjesht, mua dhe Degës në Gjilan si fitues serikë edhe në nivelin lokal edhe në atë nacional populli i kësaj ane na beson shumë.

“Epoka e re” Cilat janë pritjet e PDK-së nga zgjedhjet dhe pse besoni se Kadri Veseli do të zgjedhet kryeministër?
Mustafa: Pritjet në Anamoravë dhe Gjilan janë fort të mira sepse qytetarët janë mërzitur me zhvatjet, rrenat e mashtrimet e Lutfi Hazirit dhe sejmenëve të tij si dhe u besojnë përcaktimeve të mia si udhëheqës lokal i degës dhe Kadri Veselit si njeri i fjalës dhe i guximit për t’i çuar gjërat përpara. Kadri Veseli është i vetmi lider të cilit Amerika aktualisht i beson 100 për qind dhe mbështetet në të. Kadri Veseli nuk luan me dy kute me Amerikën dhe me BE-në. Është i qartë dhe është partner i vërtetë i tyre ashtu qysh ata janë partnerët tanë strategjikë.

“Epoka e re”: Kush do ta qeverisë Kosovën pas 6 tetorit dhe kush do të mbetet në opozitë?
Mustafa: Pas 6 tetorit Kosovën e qeveris njeriu dhe subjekti politik të cilit i beson populli i Kosovës që mund ta përfundojë marrëveshjen me Serbinë dhe ta lëmë në histori të kaluarën e gjatë konfliktuoze në këto hapësira. Kjo assesi nuk bëhet pa besimin dhe pa ndihmën e BE-së dhe të ShBA-së. Partnerët dhe populli i Kosovës edhe kësaj here do t’i besojnë formacionit që di dhe guxon të marrë vendime të rëndësishme e të rënda, e ai është vetëm dhe vetëm PDK-ja me Kadri Veselin në krye. Paralelisht, me përmbylljen e shtetësisë së plotë, lideri i PDK-së bashkë me të gjithë dijen vendore dhe ndërkombëtare do ta bëjë kthesën në stabilizimin e rrjedhave në ekonomi, në edukim, në shëndetësi, në administratë dhe në siguri dhe gjithandej. Modeli i Uran Ismailit në shëndetësi është për admirim. Vetëm për dy vjet ky ministër arriti të bëjë kthesë gjigante në sistemin e shëndetësisë, veçanërisht në ShSKUK. Pra, është e qartë. Pas 6 tetorit, kryeministër do të jetë Kadri Veseli e PDK-ja lidere në qeverisje të vendit.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë mjaftuar vetëm tri xhiro për tu zhvilluar në IPKO…