
Pas 75 ditësh trajtim në Turqi, Fahri Ademi kthehet në shtëpi pas plagosjes nga grabitësi serb në Veternik
Fahri Ademi, i cili ishte plagosur rëndë gjatë një sulmi në vendin e tij të punës në qendren tregtare Albi Mall, është kthyer në shtëpi pas 75 ditësh trajtim në një spital privat në Turqi.
Plagosja kishte ndodhur pas një sulmi nga personi me shtetësi serbe, transmeton Klankosova.tv.
Fillimisht, Ademi ishte trajtuar për 12 ditë në QKUK në Prishtinë, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ishte vendosur që ai të dërgohej për trajtim të mëtejmë në Turqi.
Me ndihmën e institucioneve dhe qytetarëve, familja arriti të sigurojë fondet e nevojshme për vazhdimin e trajtimit në një klinikë private.
Pas më shumë se dy muajsh trajtim intensiv, Fahri Ademi është kthyer në gjendje shumë më të mirë shëndetësore dhe është pranë familjes së tij në Vushtrri.
Familja Ademi ka shprehur falënderim të thellë për të gjithë ata që ofruan ndihmë gjatë kësaj periudhe të vështirë.