
Pas De Bruyne, Napoli kërkon edhe dyshen Nunez-Sancho
Napoli pas zyrtarizimit të Kevin De Bruyne nuk ka ndër mend të ndalet, teksa tashmë ka hedhur sytë nga dy emra të tjerë të mëdhenj të Premier Ligë: Darwin Nunez dhe Jadon Sancho. Sipas asaj që raporton e përditshmja “Repubblica”, të dy lojtarët kanë dhënë një miratim paraprak për projektin ambicioz të klubit napolitan.
Tani topi është në fushën e klubeve përkatëse, me tratativat që pritet të hyjnë në fazën vendimtare gjatë javëve në vijim. Një element kyç në këtë operacion mund të jetë shitja e Victor Osimhen, sulmues nigerian që ka shumë kërkesa nga klubet e mëdha angleze.
Largimi i tij jo vetëm që do të hapte vend në repartin ofensivë, por edhe do të sillte të ardhura të konsiderueshme për të përforcuar më tej skuadrën.
Me ardhjen e De Bruyne, synimet për Darwin dhe Sanchon dhe me një projekt të drejtuar nga drejtori sportiv, Giovanni Manna, Napoli duket më i vendosur se kurrë për të ndërtuar një skuadër që të rivalizojë për titullin dhe të rikthehet fuqishëm në skenën evropiane.