
Pas deklaratave për Turqinë, Vuçiq i ndërron fjalët dhe thotë se “Serbia është shumë e vogël për ta kërcënuar”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij është “shumë i vogël për të kërcënuar Turqinë” pas deklaratave të tij mbi dërgesën e dronëve të Turqisë në Kosovë, duke e përshkruar atë si fuqinë e dytë më të madhe ushtarake të NATO-s.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Vuçiq foli për dërgesën e fundit të dronëve kamikaze Skydagger të prodhuar në vend nga Turqia në Kosovë dhe komentoi mbi gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe midis Beogradit dhe Ankarasë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërsa duke iu përgjigjur deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se ai kishte kërcënuar Turqinë, Vuçiq përsëriti se Serbia është “shumë e vogël për të kërcënuar” një komb që ai e përshkroi si “një fuqi të madhe”, duke pretenduar se komentet e tij ishin keqkuptuar.
Kujtojmë se një ditë më parë, presidenti serb kishte pasur “fjalë më të ashpra në drejtim të Turqisë”, pas lajmit mbi dërgesën e dronëve të Turqisë në Kosovë.
Në llogarinë zyrtare në rrjetin social “X”, ai kishte thënë se tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe se ëndërron të ringjallë Perandorinë Osmane.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së Kosovës”.
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe ëndërron të rivendosë përsëri Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por ne e kuptuam mirë mesazhin”, kishte deklaruar të mërkurën Vuçiq.
Veç kësaj, duke iu përgjigjur kritikave në median serbe në lidhje me miqësinë e tij personale me Erdoganin pas transferimit të armëve të Turqisë në Kosovë, Vuçiq mbrojti marrëdhënien e tij me udhëheqësin turk.
“Kur bëhet fjalë për presidentin Erdogan, unë gjithmonë do të jem një mikpritës i mirë”, tha ai. “Po flasim për një udhëheqës të madh dhe një vend të madh e të suksesshëm — për njeriun që rindërtoi Ankaranë nga hiri i saj, transformoi Stambollin dhe i cili, pa dyshim, është udhëheqësi më i madh turk që nga Mustafa Kemal Pasha”, shtoi Vuçiq.
Ai theksoi se ruajtja e marrëdhënieve të mira me Turqinë dhe mbrojtja e interesave kombëtare të Serbisë nuk ishin qëllime që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Vuçiq ka shtuar se më parë kishte diskutuar bashkëpunimin ushtarak të Turqisë me Kosovën drejtpërdrejt me Erdoganin në “Shtëpinë Turke” në Nju Jork në shtator 2024, të cilin e përshkroi si “një nga arritjet e tjera të Presidentit Erdogan”.
Ai kujtoi se në takim mori pjesë edhe Ministri i Jashtëm Hakan Fidan. “Rreth një vit më parë, i kërkova Presidentit Erdogan të ndalonte furnizimin me armë të Prishtinës”, ka bërë të ditur ai.
Sipas Vuçiq, autoritetet e Kosovës po punojnë për një plan dhjetëvjeçar për ta shndërruar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një ushtri të plotë, me Turqinë që luan një rol udhëheqës në këtë proces. Ai renditi disa sisteme të prodhuara në Turqi të furnizuara në Kosovë.
Presidenti serb nënvizoi “rëndësinë e pozicionit të Turqisë për stabilitetin rajonal”.
“Nuk kemi nevojë për përshkallëzim të tensioneve”, tha ai. “Ne do të ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe do t’u kërkojmë partnerëve tanë turq të komunikojnë me ne dhe të marrin parasysh interesat tona”.