Pas dorëheqjeve, KQZ rekomandon 18 kandidatët e radhës për Kuvend

12 shkurt 2026 | 11:32

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e 15-të për këtë vit, të kryesuar nga Kreshnik Radoniqi, ku ka marrë vendim për rekomandimin e 18 kandidatëve të radhës për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vendimi vjen pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani, të dorëzuar më 12 shkurt 2026, për zëvendësimin e deputetëve që kanë dhënë dorëheqje nga mandati i tyre. KQZ, duke vepruar në përputhje me nenin 112, paragrafi 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ka rekomanduar kandidatët e certifikuar nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Nga Lëvizja Vtetëvendosje, janë rekomanduar 15 kandidatë të radhës, të cilët zëvendësojnë deputetët e dorëhequr, përfshirë Albin Kurtin, Glauk Konjufcën, Hekuran Muratin, Donika Gërvallën, Xhelal Sveçlën, Hajnulla Çekon, Mimoza Kusari-Lilën, Ejup Maqedoncin, Andin Hotin, Arben Vitinë, Saranda Bogujevcin, Armend Mujën, Fitore Pacollin, Artane Rizvanollin dhe Dimal Bashën.

Po ashtu, janë rekomanduar edhe kandidatët e radhës nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, subjekti “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” dhe Koalicioni VAKAT, pas dorëheqjeve përkatëse.

Lista e plotë e kandidatëve të rekomanduar është bërë publike nga KQZ, ndërsa hapi i radhës mbetet procedimi i mandateve sipas procedurave ligjore në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti GAP, me mbështetjen e GIZ-it në emër të Qeverisë…