Pas emërimit drejtor i Portit të Durrësit, Aliu: Porti i Durrësit është port i gjithë shqiptarëve
Ish-ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, ka folur pas zyrtarizmit të tij si drejtor i Portit të Durrësit, duke e cilësuar këtë si një detyrë të rëndësishme dhe sfiduese, që ka për synim modernizimin e portit më të madh në Shqipëri dhe rajon.
Në fjalën e tij, Aliu shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Shqipërisë dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila firmosi emërimin e tij në këtë detyrë.
“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu dhe jam i nderuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nga zëvendëskryeministrja Balluku, për një detyrë që më është dhënë e besuar dhe që është mjaft sfiduese”, tha Aliu.
Ai shtoi se ky besim përbën edhe një përgjegjësi të madhe, duke e theksuar identitetin e tij si pjesë e të dy anëve të kombit.
“Falënderoj Qeverinë e Shqipërisë, kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Balluku që ma besuan këtë detyrë. Këtu më shihni që jam prej Kosovës, atje më shohin si të Shqipërisë – nuk është e lehtë, por gjithsesi këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe shpresoj të kemi sukses”, deklaroi ai.
Duke e cilësuar Portin e Durrësit si një pasuri kombëtare e rajonale, Aliu theksoi rëndësinë e tij për ekonominë e Kosovës dhe bashkëpunimin ndërshqiptar.
“Porti i Durrësit vërtetë nuk është vetëm port i Shqipërisë, është port i gjithë shqiptarëve, i rajonit. Sot, Kosova pothuajse pjesën dërrmuese të mallrave e merr nga ky port”, tha Aliu.
Ai nënvizoi se modernizimi i portit është i domosdoshëm për ta bërë atë konkurrues në nivel rajonal
“Është e domosdoshme që ky port të modernizohet në shkallën që të jetë sfidues dhe konkurrues me gjithë rajonin”, u shpreh ish-ministri kosovar.
Duke folur për bashkëpunimin me zëvendëskryeministren Balluku, Aliu theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë krijuar një platformë të përbashkët për zhvillimin e transportit në gjithë rajonin.
Në fund, ai shtoi se zhvillimi i portit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë rajonale, përmes ndërtimit të Portit të NATO-s, që do të jetë pranë terminalit tregtar.
“Porti i NATO-s, që do të jetë krahas portit të mallrave, do të ndihmojë gjithë rajonin që të ketë siguri më të madhe,” përfundoi ai.



