Pas nëntë vjetëve lënda e Paraqinit është dëshmuar se ka qenë montim (17)

03 shkurt 2021 | 11:39

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie

Shkruan: Lulzim Sahiti

Zbardhja e së vërtetës për dhe rreth çështjes së rastit të Paraqinit ka vazhduar edhe pas nëntë vjetëve, gjë që është dëshmuar se Procesi i Paraqinit ka qenë një nga proceset gjyqësore më skandaloze jo vetëm të asaj kohe, por edhe sot e kësaj dite. Do të mbahet mend gjithmonë si një ndër proceset e inskenuara dhe më enigmatike sepse kemi të bëjmë me një proces krejtësisht të montuar politik, fund e krye të konstruktuar me perfiditetin ushtarak të KOS-it jugosllav. Procesi i Paraqinit ishte vërtet i tmerrshëm dhe me pasoja të rënda për të dënuarit dhe familjarët e tyre. Përndryshe në histori procesi gjyqësor për rastin e Paraqinit do të jetë turpi më i madh i shekullit XX. Për të dëshmuar se të akuzuarit janë dënuar pa asnjë faj, po publikojmë si dëshmi letrën e ish-gjyqtarit referues dr. Jovan Lj. Buturoviq, i cili ishte pjesë përbërëse e kolegjit të Gjyqit Suprem Ushtarak në Beograd që kishte dënuar ushtarët e pafajshëm me dënime drakonike. Me këtë letër, Buturoviq i ishte drejtuar:

Prokurorit Suprem Ushtarak, Beograd

Më 9 dhjetor 1996 Budimir Gjorgjiq, kolonel në pension, ish prokuror ushtarak në Sarajevë, Avokat pranë Gjorgje Dozetos, ish gjykatësit të Gjykatës Ushtarake në Beograd, tani avokat, para meje ka deklaruar si vijon:

Procesi në të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit ka qenë i montuar. Organet e sigurisë ushtarake nga Nishi kanë nxjerrë nën presion nga të akuzuarit pranim fajësie të rrejshme. Deklaratat e rrejshme mbi fajësinë e të dënuarve janë nxjerrë edhe nga dëshmitarët. On-Budimir Gjorgjiq e ka ditur këtë gjatë gjykimit, dhe këtë e ka kuptuar nga organi i sigurisë ushtarake gjatë kohës së gjykimit. Ai e ka të qartë edhe mënyrën se si organet e sigurisë ushtarake me detyrim kanë nxjerrë pranime të rrejshme nga persona të gjykuar dhe deklarata të rrejshme nga dëshmitarët e intervistuar.

Budimir Gjorgjiq shumë vite (thotë 16 vite) ka punuar në organet e sigurisë. Pastaj ka vazhduar me këtë bashkëpunim edhe deri sa ka punuar në Gjykatën ushtarake edhe deri sa ka qenë në detyrë të prokurorit ushtarak në Sarajevë. Tani mbanë lidhjen me organe të ndryshme në drejtorinë e sigurimit dhe këtë nuk e fshehë, madje, edhe në gjykimin e Velko Miliqit dhe të tjerëve ka folur për këtë. Ai ka shprehur habinë kur i kam thënë se për herë të parë po dëgjoj se e ashtuquajtura Lëndë e Paraqinit është e montuar. Pastaj, më 10 dhjetor 1996 e kam pyetur se a është i gatshëm që deklaratën nga dita e mëparshme ta përsërisë në vendin e caktuar. Ka thënë se është i gatshëm.

Si gjykatës i Gjykatës Supreme Ushtarake kam qenë anëtar i Këshillit, i cili në shkallën e dytë ka vendosur për ankesat në aktgjykimin e Gjykatës Ushtarake në Nish për të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit. Njëkohësisht kam qenë gjykatës raportues për këtë lëndë. Normalisht që kam marrë pjesë në marrjen e aktgjykimit të shkallës së dytë dhe kam qenë për aktgjykimin që është marrë. Për nxjerrjen nën dhunë të fakteve as tani dhe as më vonë, deri më 9 dhjetor 1996, nuk kam ditur asgjë por as në shkresat e lëndës nuk ka asnjë gjurmë të tillë.

Në bazë të asaj që u deklarua ekziston dyshimi se të gjykuarit janë njerëz të pafajshëm, të cilët nuk kanë kryer kurrfarë vepra kriminale për të cilat janë gjykuar. Për këtë arsye propozoj që të paraqitni kërkesën e përsëritjes së procedurës penale ose këtë t’i urdhëroni gjykatësit më të ulët kompetent ushtarak. Konsideroj që për çdo rast duhet të bëhet ekspertiza sipas nenit 407, paragrafi 2 i Ligjit për Procedurën Penale dhe të dëgjohen të gjithë personat, të cilët në çfarëdo forme kanë marrë pjesë në procedurën penale si dhe personat e tjerë në çfarëdo forme mund të ofrojnë çfarëdo informate e veçmas personat nga Drejtoria e sigurisë së atëhershme e APJ-së, sektorët e sigurisë nga sektorët e atëhershme të sigurisë të komandës së II A, pastaj personat që në atë kohë kanë punuar në burgun hetimor të Gjykatës Ushtarake në Nish, mjekët që i kanë vizituar personat etj.

Theksoj që në atë kohë udhëheqësi i Departamentit të Sigurisë i komandës II A, ka qenë koloneli dhe tani gjeneral nënkolonel Geza Farkosh.

Theksoj se në atë kohë ka qenë e krijuar atmosferë linçuese në mjetet e informimit në RSFJ dhe se nga ana e kreut të ushtrisë së APJ-së dhe kreu i RSFJ-së është kërkuar që me çdo çmim të zbulohen dhe të dënohen fajtorët për masakrën në kazermën e Paraqinit. Ju lutem që për këtë iniciativë timen të deklaroheni dhe të merrni vendim konform ligjit.

Dr. Jovan Lj. Buturoviq, rruga “Jurija Gagarina” 174/39, Novi Beograd. (E përktheu nga origjinali: Ibrahim Demiri)

No description available.

 “Nasha Borba”, dëshmi e re për rastin e vrasjes në kazermën e Paraqinit: “Procesi ka qenë i montuar”

Ish-prokurori ushtarak në Sarajevë ka deklaruar se procesi në Lëndën e Paraqinit ka qenë i montuar, ndërsa avokati Jovan Buturoviq i është drejtuar prokurorit suprem ushtarak që të paraqesë kërkesë për përsëritjen e procedurës penale.

Deklarata e kolonelit në pension, ish prokurorit ushtarak në Sarajevë se procesi në Lëndën e Paraqinit ka qenë i montuar është shkas i shkresës së avokatit dr. Jovan Buturoviqit prokurorit suprem ushtarak që të paraqesë kërkesën për përsëritjen e procedurës penale. Rikujtojmë se kemi të bëjmë me vrasjen e 4 dhe plagosjen e 6 ushtarëve në kazermën e Paraqinit 1988, vepër e kryer nga Aziz Kelmendi, pas të cilës, siç është raportuar, ka bërë vetëvrasje. Pas kësaj janë dënuar 8 shqiptarë, kinse bashkëpjesëmarrës, me dënim burgimi nga 4 deri në 20 vjet.

Avokati dr. Buturoviq, i cili në atë kohë ishte gjyqtar raportues në shkallën e dytë, pasi ka arritur deri te njohuritë e reja, ka vendosur që t’i drejtohet prokurorit suprem ushtarak. Në këtë letër ai së pari citon deklaratën e këtij dëshmitari shtesë (i cili ka dashur të jetë anonim për shkak se procedura ishte duke u zhvilluar): Procesi në të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit ka qenë i montuar. Organet ushtarake të sigurisë nga Nishi me detyrim kanë nxjerrë nga të dënuarit pranimin e fajit. Pranimi me detyrim për fajësinë e të dënuarve është nxjerrë edhe nga dëshmitarët.

Dr. Buturoviq deklaron se koloneli vet ka pasur njohuri për këtë gjë edhe gjatë gjykimit dhe se këtë e ka kuptuar nga organet ushtarake të sigurisë. Atij i ishte bërë e qartë edhe mënyra se si organet ushtarake të sigurisë kanë nxjerrë me detyrim pranimin e rrejshëm nga të dënuarit dhe deklaratat e rrejshme të dëshmitarëve të intervistuar. Ky kolonel shkruan, dr. Buturoviq, ka theksuar se gjithashtu ka punuar 16 vite në organet e sigurisë dhe se me këtë bashkëpunim ka vazhduar edhe deri sa ka punuar në prokurorinë ushtarake madje dhe në detyrën e prokurorit ushtarak në Sarajevë dhe se edhe tani mban lidhjen me organet e caktuara në drejtorinë e sigurisë duke mos e fshehur këtë. “ai ka shprehur habinë”, thekson avokati Buturoviç, “kur unë i kam thënë se për herë të parë po dëgjoj për të ashtuquajturin proces të montuar të Paraqinit. Më pas, saktë më 10 dhjetor 1996 e kam pyetur se a është i gatshëm që këto dëshmi t’i përsërisë në vendin e caktuar. Ka thënë se është i gatshëm”. “si gjykatës i gjykatës supreme ushtarake kam qenë anëtar i këshillit, i cili në shkallën e dytë ka vendosur për ankesat ndaj aktgjykimeve të Gjykatës Ushtarake në Nish për të ashtuquajturën Lëndë e Paraqinit”, shkruan Jovan Buturoviq, “njëkohësisht kam qenë gjyqtar raportues në këtë lëndë.

Normalisht që kam marrë pjesë në marrjen e aktgjykimit të shkallës së dytë dhe kam qenë për aktgjykimin që është marrë. Për nxjerrjen nën dhunë të fakteve as tani dhe as më vonë, deri në dhjetor të vitit të kaluar, nuk kam ditur asgjë por as në shkresat e lëndës nuk ka asnjë gjurmë të tillë”.

“Duke marrë parasysh këtë që u tha” avokati Buturoviq i bënë me dije prokurorit suprem ushtarak se “ekziston dyshimi i bazuar se të dënuarit janë njerëz të pafajshëm, të cilët nuk kanë bërë vepra penale, vepra për të cilat janë dënuar. Për këtë propozoj që të paraqitni kërkesën për përsëritjen e procedurës penale ose t’i urdhëroni prokurorisë më të ulët kompetente ushtarake një gjë të tillë. Konsideroj që në çdo rast duhet të bëhet ekspertiza sipas nenit 407, paragrafi 2 i Ligjit për procedurën penale dhe të dëgjohen të gjithë personat që në çfarëdo forme kanë marrë pjesë në procedurën paraprake penale si dhe të tjerët të cilët mund të ofrojnë çfarëdo informatash.

E veçmas personat nga Drejtoria e Atëhershme e Sigurisë së APJ, sektorit të sigurisë të komandës së atëhershme II A, pastaj personat që në atë kohë kanë punuar në burgun hetues, të Gjyqit Ushtarak në Nish, mjekët që kanë vizituar të burgosurit etj. Theksoj që në atë kohë drejtori i repartit të sigurisë pranë kësaj komande ka qenë koloneli e tani gjeneral nënkolonel Geza Farkash.

Në fund dr. Jovan Buturoviq thekson: “Rikujtoj që në atë kohë u krijua atmosfera linçuese në mjetet e informimit në RSFJ dhe që nga ana e kreut ushtarak të APJ-së dhe kreu shtetëror i RSFJ-së është kërkuar që me çdo çmim të zbulohen dhe të dënohen fajtorët për masakrën në kazermën e Paraqinit”.

Këtë shkresë prokurorit suprem ushtarak, dr. Buturoviq, i ka drejtuar më 6 janar të këtij viti. Deri tani përgjigje nuk ka. B.O. Iliq

“Nasha Borba”, më 9. 5. 1987, fq. 17 (E përktheu nga origjinali: Ibrahim Demiri) VIJON

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arrestimi dhe dënimi i opozitarit rus Alexei Navalny e ka…