Pas pranimit të fajësisë, dënohen me nga 4 mijë euro gjobë dy të akuzuarit për huliganizëm më 2021 në veri

22 tetor 2025 | 15:39

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues  ndaj Nenad Miljkoviq dhe Aleksanda Llaziq lidhur me akuzën për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Ata u dënuan me nga 4 mijë euro gjobë, pasi e kishin pranuar fajësinë për veprën që iu vihej në barrë.

Bashkë me Miljkoviq dhe Llaziq akuzohen edhe Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq. Ata ngarkohen se më 13 tetor 2021 kanë marrë pjesë në turma të mbledhura në Mitrovicë të Veriut, ku kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dora pjesëtarët e Policisë dhe Doganës.

Sipas njoftimit të Gjykatës, dy të akuzuarit u dënuan me nga 6 muaj burgim secili veç e veç, mirëpo me pëlqimin e të akuzuarve ky dënim është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro për secilin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimin me gjobë të akuzuarit obligohen ta paguajnë në afat prej 15 ditësh nga dia kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.

Ndryshe, në seancën fillestare më 21 tetor 2025, të akuzuarit Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq pranuan fajësinë lidhur me akuzën për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Ndërkaq, katër të akuzuarit tjerë Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq, u deklaruan të pafajshëm për të njëjtën vepër. Sofronijeviq akuzohet edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas kësaj, procedura për dy të akuzuarit që pranuan fajësinë u veçua nga të akuzuarit tjerë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 23 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq, Marko Rakiq, Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq. Gjashtë të akuzuarit ngarkohen për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Ndërkaq, Sofronijeviq ngarkohet se për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sreqko Sofronijeviq dhe personat NN., akuzohet se më 13 tetor 2021, ka marrë pjesë në turmën me më shumë se dhjetëra persona, numri i të cilëve është rritur dhe ulur varësisht nga lēvizjet e tyre, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve duke i gjuajtur me gjësende të forta e gurë personat zyrtarë të Policisë dhe Doganës.

Në aktakuzë thuhet se turma e personave të cilët kanë pasur maska anti-COVID në fytyrë dhe në duar kanë mbajtur shihe plastike me përmbajtje të lëngshme, kanë hedhur bombola gazi në drejtim të automjeteve që ishin në afërsi të një barnatoreje në pjesën veriore të Mitrovicës rreth orës 08:00 – 09:00, duke shkaktuar dëm pasuror të konsiderueshëm në vlerë mbi 20 mijë euro.

Më pas, aktakuza thotë se i pandehuri me të arritur në territorin e Komunës së Zveçanit, në afërsi të “Urës së hekurit” në fshatin Rudar, rreth orës 10:00, ka marrë pjesë në veprimet e përbashkēta të turmave të mbledhura të personave që kanë sulmuar policët e  Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke u kthyer në drejtim të rrugës për Mitrovicë, pasi kishte përfunduar kontrolli i zbatuar sipas urdhrit të lëshuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë në një lokacion në Zveçan.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa personat zyrtarë po ktheheshin, gjatë lëvizjes së tyre me vetura zyrtare, goditen edhe me gjësende të forta, me gurë, shufra druri dhe shufra metali, granata dore që i kishin zënë pritën Policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, e mjetet e blinduara të Policisë goditen me plumba nga të shtënat me armë zjarri, gjuajtjet me granata dore, ku pësojnë një kapiten i cili u godit në kokë dhe dy zyrtarë policorë, të cilëve iu shkaktuan lëndime trupore.

Andaj, i pandehuri akuozhet se me veprimet e përbashkëta me turmën e personave, ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragraf 1 i Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se me datën e njëjtë, në Zveçan, në afërsi të “Urës së hekurit” në fshatin Rudar, pa leje dhe pa autorizim të organit kompetent shtetëror e në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, ka poseduar armën e tipit kallashnikov “AK-47”, të cilën e ka drejtuar në drejtim të zyrtarëve policorë dhe mjeteve të blinduara të policisë.

Me çka, i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, po më 13 tetor 2021, të pandehurit Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq, në Mitrovicë – Veri, rreth orës 08:30-10:00, kanë marrë pjesë me dashje dhe dijeni në turmat e mbledhura prej rreth më tepër se dhjetëra personave, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Më tej, në aktakuzë thuhet se me veprimet e rrezikshme të turmave të njerëzve, kanë gjuajtur në drejtim të zyrtarëve policorë dhe doganorë gjësende të forta, kanë hedhur bombola të gazit e “shok bomba”. I pandehuri Nenad Miljkoviq derisa është zbatuar urdhër-kontrolli në një barnatore, në afërsi të barnatores ka sulmuar një zyrtar policor me mjete të forta- gurë.

Aty thuhet se nga veprimet e përbashkëta të pjesëmarrësve i është vënë flaka automjetit “Toyota”- pronë e Doganës së Kosovës, ndërsa i akuzuari Aleksandar Llaziq, me kamion ka bllokuar udhëkryqin e rrugës te Shkolla Teknike që shpie në “Lagjen e Boshnjakëve”, të cilin e ka vendosur si barrikadë për bllokimin e rrugës. Me këtë rast, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe rrezik për jetën e njerëzve.

Me këto veprime, Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq ngarkohen se me veprimet e tyre dhe veprimet e përbashkëta me turmat e personave kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, me datën e njëjtë, të pandehurit Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq, në Mitrovicë – Veri, në lagjen “Berxhane”, rreth orës 08:30-10:00, kanë marrë pjesë me dashje dhe dijeni në turmat e mbledhura prej më shumë se dhjetëra personave, disa prej të cilëve kanë pasur maska anti-COVID në fytyrë, dhe me veprimet e përbashkëta pasi që Policia e Dogana kanë zbatuar urdhër-kontroll në shtëpinë e V.V., kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me gjësende të forta, kanë hedhur bombola  gazi, kanë shtënë me armë në drejtim të  policëve dhe doganierëve, si edhe në drejtim të automjeteve zyrtare.

Më pas, thuhet se turma e personave shkoi në drejtim të barnatores, me ç’rast shkaktohet dëm i konsiderueshem material me dëmtimin e automjeteve nga hedhja e gurëve dhe vënia e flakës në automjetin pronë e DKKO, ku janë lënduar pesë zyrtarë policorë, të cilët largohen nga vendi i ngjarjes bashkë me dy zyrtarë doganorë.

Me këto veprime, ngarkohen se me veprimet e përbashkëta edhe të të pandehurve tjerë dhe personave NN kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të…