![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/06/702649D6-A67F-4331-9674-8723155FF6D4.jpeg)
Pas rasteve të fundit me Covid-19, inspektorët dhe policia kontrollojnë lokalet nëse po i respektojnë rregullat
13 qershor 2020
| 23:41
Inspektorati i Komunës së Prishtinës, mbrëmjen e së shtunës ka ndërmarrë një aksion për të inspektuar lokalet e ndryshme nëse po respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Kështu ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, drejtori për Inspekcion Adonis Tahiri.
“Aksion i gjerë, me qëllimin e vetëm: Ruajtjen e shëndetit publik!”, ka shkruar Tahiri, duke ia bashkangjitur këtij postimi disa fotografi ku shihen inspektorati së bashku me policinë duke kontrolluar lokalet.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar për 53 raste të reja me koronavirus të shtunën, ndërsa shtatë persona janë shëruar.
(M.Q / Epoka e re)