Pas shkatërrimeve në Xhamajkë, uragani Melissa godet Kubën

29 tetor 2025 | 13:26

Uragani Melissa ka goditur Kubën të mërkurën, disa orë pasi shkaktoi shkatërrim në Xhamajkën fqinje, teksa kjo ishte stuhia më e fuqishme që goditi këtë ishull në Karaibe.

Melissa goditi brigjet jugore dhe lindore të Kubës me erëra që arritën deri në 195 kilometra në orë, tha Qendra kombëtare amerikane për uragane.

“Stuhia shkatërruese, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut si dhe erërat e fuqishme të uraganit po vazhdojnë edhe mëngjesin e sotëm”, tha kjo qendër.

Afër 735 mijë persona u evakuuan nga shtëpitë e tyre në pjesën lindore të Kubës teksa stuhia afrohej, thanë autoritetet. Presidenti kubanez, Miguel Diaz-Canel, paralajmëroi të martën se stuhia mund të “shkaktojë dëme të mëdha” dhe u bëri thirrje njerëzve të respektonin urdhrat për evakuim.

Fuqia e uraganit Melissa është dobësuar, por vazhdon të jetë një stuhi e rrezikshme e kategorisë tre, pasi goditi Xhamajkën me erëra të fuqishme. Kur goditi Xhamajkën, stuhia ishte klasifikuar në kategorinë pesë.

Stuhia ka shkaktuar përmbytje në Xhamajkë dhe ka lënë mbi 500 mijë banorë pa energji elektrike. Kryeministri xhamajkan, Andrew Holness, tha se stuhia ka dëmtuar spitale, shtëpi banimi dhe biznese, si dhe ka shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore.

Holness tha se qeveria nuk kishte marrë ende njoftime për ndonjë vdekje të konfirmuar nga stuhia, por duke pasur parasysh fuqinë e uraganit dhe shkallën e dëmeve, “presim që mund të ketë humbje jete”.

Meteorologët nga AccuWaether kanë thënë se Melissa është uragani i tretë më i fuqishëm që ka goditur Karaiben, pas Wilmas më 2005 dhe Gilberit më 1988 – që ishte stuhia e fundit e madhe që kishte goditur drejtpërdrejt Xhamajkën.

Shkencëtarët thonë se uraganet po forcohen më shpejt dhe po bëhen më të shpesht si pasojë e ngrohjes së ujërave të oqeanit të shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë. Shumë liderë të Karaibeve u kanë bërë thirrje vendeve të pasura, që janë ndotës më të mëdhenj, të ofrojnë reparacione në formën e ndihmës ose lehtësimit të borxhit për ishujt tropikalë.

Erërat e uraganit Melissa u dobësuan teksa stuhia kaloi mbi malet e Xhamajkës, duke goditur komunitetet malore të cenueshme ndaj rrëshqitjeve të tokës dhe përmbytjeve.

Mediat lokale raportuan të paktën tre të vdekur në Xhamajkë gjatë përgatitjeve për stuhinë.

“Shteti ynë është shkatërruar nga uragani Melissa, por ne do ta rindërtojmë dhe do ta bëjmë këtë edhe më mirë se më parë,”, tha kryeministri Holness mëngjesin e së mërkurës.

Në Bahama, që pritet të goditet nga Melissa pas Kubës, Qeveria ka urdhëruar evakuimin e banorëve nga pjesët jugore të arkipelagut. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Zonës Operative të Llapit, Muharrem…