Pas thirrjeve antishqiptare në Kumanovë, Mickoski dënon ‘ksenofobinë dhe nacionalizmin’

04 gusht 2025 | 12:04

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Kumanovë.

Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në fundjavë, gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në basketboll u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.

Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin edhe kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.

Mickoski gjatë një prononcimi për medie të hënën ka thënë se edhe pse ishte i pranishëm në sallë, nuk i “vura re” tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi ka theksuar se “fjalë për një grup të vogël njerëzish”.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë (së Veriut) dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, ka thënë Mickoski.

Ai ka thënë se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”. Prokuroria maaqedonase ka nisur hetimet për këtë ngjarje.

“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, ka thënë ai.

Kurse ministri i Sportit, Borko Ristovski, ka thënë se kjo ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv – vjen nga tifozë në tribunë  dhe nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.

“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”, ka thënë Ristovski.

Ai ka thënë se “nga pozita e Ministrisë së Sportit, nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveç se të ndihmojmë në identifikimin e tyre dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Reagime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë

Incidenti në Kumanovë shkaktoi reagime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri e Kosovë. Megjithatë, në Kosovë deri më tani krerët shtetërorë kanë qëndruar të heshtur për këtë ngjarje.

Partia shqiptare në opozitë në Maqedoni të Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka thënë se në këtë ngjarje “u dëgjuan kore antishqiptare, thirrje raciste dhe gjuhë e pastër e urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve”.

Kjo parti ka theksuar më 3 gusht se më shqetësuese është fakti që Qeveria dhe përfaqësuesit shtetërorë të pranishëm heshtën për këtë ngjarje.

“Nuk pati as reagim institucional, as dënim moral, as distancim politik. Vetëm miratim me heshtje, që për ne është po aq i rëndë sa vetë koret”, është thënë në reagimin e BDI-së, duke kërkuar hetim urgjent për ngjarjen, sanksione ndaj organizatorëve, distancim publik nga qeveria dhe përfshirjen e faktorit ndërkombëtar për monitorimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe, siç tha, nacionalizmit institucional.

“Të gjithë duhet ta dinë: Nuk do të lejojmë kthimin e vendit në arenë të urrejtjes etnike. Nuk do të lejojmë që shqiptarët të bëhen shënjestër e thirrjeve fashiste. Nuk do të heshtim as tani, as në të ardhmen”, është thënë në reagimin e BDI-së.

Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka thënë se heshtja e krerëve shtetërorë për ngjarjen në Kumanovë është “bashkëpërgjegjësi morale dhe politike”.

“Në një shtet që aspiron Bashkimin Evropian, gjuha e urrejtjes nuk mund të tolerohet, relativizohet apo heshtet. Kërkojmë hetim urgjent, ndëshkim shembullor dhe reagim institucional të menjëhershëm”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Edhe në Kosovë, deputetë të partive që mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë reaguar për këtë ngjarje.

Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës, ka kritikuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, për heshtjen lidhur me këtë ngjarje.

“Hristijan Mickoski është bërë kryeministër i Maqedonisë së Veriut me bekimin dhe votën që ia solli drejtpërdrejt Albin Kurti përmes koalicionit VLEN”, ka shkruar Behrami në “Facebook”, duke shtuar se “heshtja e Kurtit është më shumë se indiferencë -ajo është bashkëfajësi politike dhe morale”.

Kritik ndaj mosreagimit të Kurtit është shprehur edhe deputeti Daut Haradinaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ka thënë se Kurti është “kumbara i koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut” dhe udhëheqja e re atje tha se “po u bën të fala” me thirrje raciste ndaj shqiptarëve.

Gjatë zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, disa parti shqiptare janë bashkuar në një koalicion të quajtur VLEN. Bekim Qoku nga Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti i është bashkuar kësaj liste.

VLEN është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

Reagime të ashpra për thirrje kundër shqiptarëve pati edhe Shqipëria.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i ka cilësuar si të papranueshme thirrjet fyese ndaj shqiptarëve.

“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë të përkushtuar në promovimin e bashkëjetesës dhe qëndrojnë “ndasive të dala mode e boje”.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka thënë se “thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne”, duke shtuar se bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm dhe respektim të rregullave”. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova U16 në konkurrencën e meshkujve do të marrë pjesë…