
Pas Tottenhamit edhe Aston Villa interesohet për Rrahmanin
Pas Tottenhamit edhe skuadra tjetër nga Anglia, Aston Villa ka shprehur interesim për kapitenin e Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmanin.
Madje, raportohet se Aston Villa i ka bërë Napolit ofertë zyrtare për Rrahmanin, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Unai Emery.
Detajet e ofertës nuk janë zbuluar, por thuhet se Rrahmani është joshur nga oferta e Aston Villas dhe ideja për të luajtur në Premier Ligë.
Megjithatë, largimi i Rrahmanit nga Napoli nuk do të jetë aspak i lehtë për shkak se 31-vjeçari vlerësohet lart nga trajneri Antonio Conte.
Në sezonin e fundit, ku Napoli u shpall kampion i Italisë, Rrahmani ka qenë titullar në të gjitha 38 ndeshjet e luajtura në kuadër të Serie A.
Rrahmani luan në kampionatin italian prej vitit 2019, ndërsa pjesë e Napolit është prej vitit 2020 kur iu bashkua nga Verona dhe me napolitanët ka të fituar dy tituj kampioni.