
Pas vdekjes së të riut në Lipjan, Qalaj: Policët e rinj nuk janë të përgatitura për përdorimin e forcës
Pesë zyrtarë policor janë suspenduar nga puna pas vendimit nga Inspektorati Policor i Kosovës, një rreshter dhe katë zyrtarë policor kanë qenë të përfshirë në incidentin në Lipjan, ku 27-vjeçari, Agon Zejnullahu vdiq pas arrestimit, raporton Periskopi.
Për këtë rast, ka folur ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Qalaj tha për Periskopin se gjeneratat e reja të Policisë nuk janë të përgatitur si duhet sa i përket përdorimit të forcës, sipas tij, trjanimi 3 mujor në Akademinë për Sigurinë Publike, duhet të zgjatet në shtatë muaj sic ka qenë më parë.
“Mendoj që është një problem i theksuar të cilin po e vërejmë si qytetarë të Kosovës, tek gjeneratat e reja të Policisë të cilët mendoj, nuk janë të përgatitur si duhet sa i përket përdorimit të forcës dhe kjo është si pasojë e trajnimit të shkurtë të cilin Policia e Kosovës e ka aktualisht në Akademinë për Sigurinë Publike.
Trajnimi për kadetët dhe policët e rinj, aktualisht është vetëm tre muaj që konsideroj është nje gabim dhe duhet gjithsesi të zgjatet në afatin 7 mujor sic ka qenë më herët dhe po ashtu është shumë me rëndësi që policët që e kryjnë akademinë për siguri publike, kur të dalin në teren të kthehen prapë në trajnimin fushor. Të bëhet vlerësimi i performancës nga trajnerët fushor për afatin dyvjecar dhe mendoj se do të ketë ndikim direkt në sjelljet e tyre, në disiplinën e tyre në aplikimet e standarteve ashtu si duhet për përdorimin e forcës e sidomos në komunikimin me qytetarët me mënyrën e komunikimit me qytetarët”, u shpreh ai.
Qalaj shtoi kritika edhe ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha duke thënë se duhet të punojë më shumë në kthimin e integritetit policor.
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, shtoi se Hoxha “duhet të jetë shumë më strikt, më shumë të ketë detyrë, sa më pak në kafene dhe të jetë i angazhuar më shumë”.
“Mendoj se menaxhimin duhet ta bëj dhe duhet ta kthej integritetin policor drejtori i përgjithshëm, ai është përgjegjës së bashku me menaxhmentin e Policisë dhe pastaj deri të stacioni policor, e të jem më konkret deri të udhëheqësi i ndërrimit të gjithë ky zingjir janë përgjegjës se si punojnë policët e rinj, mënyrën e komunikimit, mënyrën e sjelljes, qasjen ndaj detyrë e kështu me radhë”.
Në fund, Qalaj ka një porosi për qytetarët duke shtuar se në rastet kur qytetarët rrezikojnë sigurinë në vend, Policët kanë mandat që “të përdorin forcën e duhur proporcionale”.
“Sa herë që një qytetar, nuk i bindet urdhërave të Policisë, polici është i pajisur me pajisjet që ia ka dhënë shërbimi dhe kur një qytetarë është i dhunshëm ndaj qytetarit tjetër, ndaj jetës së dikujt, ndaj pronës apo ndaj jetës së policit atëherë Policia e Kosovës e ka mandatin që ta bëj arrestimin duke përdorur forcën e duhur proporcionale në raport me rrezikun që i kanoset. Jo dy tre veta ta bëjnë arrestimin e një personi, mirëpo të aplikojnë ato metoda që i kanë mësuar në Akademinë e Sigurisë Publike për mënyrën e arrestimit, reagimit qoftë duke i përdorur pajisjet qoftë me metoda duarthatë sic i quajnë në Policinë e Kosovës’’, u shpreh Qalaj.