
Pas vendimit të Kushtetueses, Rashiqi: Nuk pres të më votojnë, zgjedhjet janë afër
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku ende nuk është zgjedhur asnjë nënkryetar nga radhët e Listës Serbe.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi të konstituohet plotësisht brenda 12 ditësh, përfshirë zgjedhjen e nënkryetarit nga komunitetet jo-shumicë, siç parashihet me Kushtetutë.
Por, Rashiqi ka shprehur rezerva ndaj qartësisë së këtij vendimi, veçanërisht për sa i përket mundësisë së kandidimit nga ndonjë subjekt tjetër përveç Listës Serbe.
“Ky aktvendim i Gjykatës Kushtetuese nuk është krejt i kompletuar. Nuk e kam parë që është krejt i qartë, në veçanti për Listën Serbe, sepse nuk ceket në asnjë vend a do të mundësohet ose jo një kandidim tjetër përveç listës më të madhe, që është Lista Serbe”, ka deklaruar Rashiqi.
I pyetur nëse do të propozohet sërish për postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe nëse do të mund t’i sigurojë votat e nevojshme, ai ka shprehur skepticizëm.
“Sinqerisht, nuk e di a do t’i marr ato pesë votat. Kësaj here nuk kam shpresë”, ka thënë ai.
Rashiqi ka folur edhe për mosvotimin e tij në seancën e kaluar, duke theksuar se një veprim i tillë nuk përbën shkelje të Kushtetutës.
“Unë, siç e kam pasur argumentin edhe më herët, besoj që votimi i tillë nuk është kundër Kushtetutës. Edhe ky vendim i Gjykatës nuk thotë që ka qenë kundër Kushtetutës. Nuk hyj në detaje nëse ka qenë kundër rregullave për ndarjen, por një votim i tillë nuk është i paligjshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
“Unë mendoj 80 për qind është e sigurt që do të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Rashiqi.