
Pas vendimit të Kushtetueses, zgjedhjet mbesin zgjidhje
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar në përputhje me Kushtetutën për shkak të mungesës së një nënkryetari nga grupi më i madh parlamentar i pakicës serbe, ka thelluar edhe më tej krizën politike në vend.
Në mungesë të një shumice parlamentare të qartë dhe përballë bllokimit institucional, gjithnjë e më shumë po shihet si e pashmangshme shkuarja në zgjedhje të reja.
Megjithatë, një hap i tillë nuk është i mundur pa një marrëveshje politike që do të mundësonte konstituimin formal të Kuvendit. Vetëm pas kësaj procedure institucionale mund të hapet rruga për shpërndarjen e tij dhe caktimin e zgjedhjeve të reja.
Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare dhe njohësi i çështjeve juridike, Ismet Salihu, për FrontOnline ka folur pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka konstatuar se konstituimi i Kuvendit nuk është bërë në përputhje me Kushtetutën për shkak të mungesës së një nënkryetari nga grupi më i madh parlamentar i pakicës serbe.
“Në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjeve dhe në bazë të rregullores së Kuvendit, vendimi ka konstatuar se Kuvendi nuk është konstituuar pa emrin edhe të një anëtari si nënkryetar nga grupi më i madh parlamentar i pakicës serbe”, deklaroi Salihu.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vepruar drejt dhe në përputhje me normat kushtetuese, duke theksuar se vetëm Lista Serbe ka të drejtë të propozojë nënkryetarin për Kuvend.
“Grupi më i madh i minoritetit serb është Lista Serbe dhe sipas Kushtetutës vetëm ajo ka të drejt të propozoj nënkryetarin për Kuvend të Kosovës dhe kjo është decizive. Gjykata ka vendos ashtu si duhet dhe përkundër emërimit të Bashës, puna nuk mund të vazhdojë”, shtoi ai për FrontOnline.
Salihu kritikoi qëndrimet e disa partive politike që janë shprehur se nuk do të votojnë për nënkryetarin e propozuar nga Lista Serbe.
“Nëse partitë kanë thënë se nuk e votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe, e kanë shumë gabim. Lista Serbe dhe çdo parti mund të konsiderohet organizatë terroriste, kur ka vendim të Gjykatës. Ato pohimet në KQZ dhe tash në Kuvend, dhe nëse përsëriten, e kanë gabim dhe është e dëmshme për Kosovën brenda për brenda dhe në raportet me ndërkombëtarët”, përfundoi Salihu.
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Kolë Krasniqi, për FrontOnline ka komentuar situatën politike në vend pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se mungesa e një marrëveshjeje politike rreth konstituimit të Kuvendit e bën pothuajse të pashmangshme shkuarjen në zgjedhje të reja.
“Në bazë të qëndrimit të partive politike unë besoj se nuk do të ketë konstituim”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, dështimi për të konstituar Kuvendin dhe mungesa e shumicës për formimin e Qeverisë çojnë drejt një zgjidhjeje të vetme që janë zgjedhjet e reja.
“Zgjedhja tjetër e këtij procesi është vetëm shkuarja në zgjedhje të reja për faktin se gjitha subjektet politike në vend i kanë tek zgjedhjet e reja që do ta determinonin fituesin e zgjedhjeve dhe do ta lehtësonte formimin e një Qeverie të re”, theksoi ai për FrontOnline.
Krasniqi vlerëson se në këtë fazë, asnjë parti nuk ka fuqinë për të formuar ekzekutivin.
“Çfarëdo zgjidhje që do të kishte tani, askush nuk e ka shumicën e votave në Kuvend për formimin e Qeverisë”, deklaroi ai.
Ai thekson se zgjedhjet nuk mund të mbahen pa u konstituar më parë Kuvendi, duke lënë hapësirë për një marrëveshje të mundshme që do ta hapte rrugën për zgjedhje të reja këtë vit.
“Nuk mund të shkohet në zgjedhje pa konstituim të Kuvendit. Mund të ketë një marrëveshje në drejtim për konstituimin e Kuvendit e më pas të ketë zgjedhje të reja, e të cilat mund të mbahen këtë vit”, përfundoi Krasniqi.