Pasi Pendarovski doli kundër prekjes së kufijve, Daçiqi i tha mos u përzi në shtëpinë e tjetrit

20 maj 2020 | 11:35

Pas presidentit Aleksander Vuçiq dhe ministrit të mbrojtjes Aleksander Vulin, për deklaratën e presidentit të Maqedonisë, Stevo Pendarovski, të dhënë për Gazetën Express rreth idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Kreu i diplomacisë serbe thotë se është lodhur me deklarata të tilla dhe e ka cilësuar hipokrit qëndrimin e presidentit të Maqedonisë së Veriut kundër korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Jam lodhur me deklarata të tilla hipokrite ku dikush merret me shtëpinë e tjetrit dhe thotë që situata është kjo dhe se nuk ka ndryshime të mëtejshme”, ka thënë Daçiq, transmeton Express.

Sipas kreut të diplomacisë serbe, parimi i paprekshmërisë së kufijve është shkelur kur Maqedonia e Veriut ka vendosur ta njihte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

“Parimi i paprekshmërisë së kufijve u shkel kur u njoh Kosova. Ata (maqedonasit) duhet ta kishin menduar për një gjë të tillë para se të njihej Kosova”, ka shtuar Daçiq.

Më tutje, ai ka thënë se pajtohet me presidentin e Maqedonisë së Veriut që ndryshimi i kufijve nuk është gjithmonë një zgjidhje ideale, kurse me ironi ka pyetur se për cilën periudhë po flet Pendarovski dhe nëse ka menduar për kufijtë e shtetit të vet apo të Serbisë.

Në këtë intervistë për “Sputnik”, Daçiq ka folur edhe për gatishmërinë e Rusisë për përfshirje në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai thotë se një gjë e tillë do të ishte e mundur vetëm nëse ka pajtim të të gjitha palëve të përfshira në dialog dhe se deri tani nuk ka ndonjë sinjal që mund të ketë ndonjë shtim të palëve në dialog.

“Përfshirja e Rusisë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës është e mundur vetëm nëse të gjithë pranojnë zgjerimin e formatit të negociatave”, ka shtuar krye diplomati serb.

Ai ka thënë se formati aktual është vetëm BE-ja bashkë me Prishtinën dhe Beogradin, ndërkohë potencon se përfshirja e ShBA-së me Richard Grenellin apo i Angela Merkelit dhe Macronit është një nxitje shtesë për dialogun.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka një javë që situata në vend po i rikthehet…