
Pasoja evidente të ngërçit politik në ecuritë ekonomike
Bizneset shprehën pakënaqësi për pasojat evidente të ngërçit politik në Kosovë në ecuritë ekonomike në vend.
Në diskutimin me temën “Vakumi i zgjatur institucional: Kostoja dhe pasojat për ekonominë”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kryetari i kësaj ode, Arian Zeka, tha se çdo ditë marrin informata për përkeqësimin, siç quajti të shëndetit financiar të bizneseve. “Vendi ynë përballet me një zvarritje të tejzgjatur të konstituimit të Kuvendit dhe të krijimit të Qeverisë së re. Kjo situatë përveç që cenon besimin qytetar e institucional te partnerët ndërkombëtarë krijon pasiguri të thellë edhe për komunitetin e biznesit dhe sektorin financiar. Çdo ditë marrim informata sa i përket përkeqësimit të shëndetit financiar të bizneseve dhe rënies së likuiditetit të institucioneve financiare. Ankesat lidhen po ashtu me zvogëlimin e investimeve kapitale nga ana e institucioneve publike në vend. Duke qenë një prej shtyllave kryesore zhvillimore, kjo e cenon edhe rrjedhën e parasë së gatshme dhe shëndetin financiar. Po ashtu, ndikon edhe në aspekte të tjera, shpresoj që jo në zvogëlim të vendeve të punës dhe fuqisë blerëse”, ka thënë Zeka.
Në këtë diskutim u vu në pah pakënaqësia me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për liberalizim të tregut.
Gjithashtu u tha se ky vendim nuk u përcoll me infrastrukturë dhe që Kuvendi dhe Qeveria do të duhej të mbështesnin bizneset për këtë kalim në tregun e lirë të energjisë.
Në këtë kuadër, profesori, Shkumbin Misini, ka vlerësuar se moskrijimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit është duke lënë pasoja në fushën ekonomike.
Ndërsa, avokati Florin Lata, ka thënë se besimi në institucione nuk ka qenë asnjëherë më i ulët edhe për shkak të krizës politike. “Vendimmarrja institucionale është paralizuar si pasojë e mungesës së qeverisë legjitime. Investitorët e huaj që janë në Kosovë ekziston rrezik real që të padisin Kosovën në rast të çfarëdo vonese”, ka thënë Lata.