Pasqyrimi i demonstratave të ’81-shit në mediat e Shqipërisë

16 mars 2021 | 11:02

Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (7)

Shkruan: Bedri Islami

Në vitin 1966, pas thuajse 18 vjet mbylljeje dhe heshtjeje, në Prishtinë kishte shkelur një shqiptar i madh, i kulturuar deri në palcë, erudit dhe i urtë, që të ngjallte respekt me të gjithë qenien e tij, aq më tepër me dijen e pafund. Më shumë se sa një njeri i zakonshëm, ai dukej si një profet dhe ishte i tillë. Aleks Buda, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave, do të pritej në Kosovë si një hyjni. Zgjedhja kishte qenë e përsosur. Nga të gjitha anët e Kosovës njerëzit, sidomos të rinjtë, ecnin rrugë e pa rrugë, natën kur ishin klandestinë në vendin e tyre, për të dëgjuar profesorin namëmadh, e ndoshta, po i priu fati, për ta takuar. Aleks Buda do të jetë lajmësi më i gjetur i Shqipërisë, asnjë mesazh tjetër nuk do të kishte vlerë sa vetë ai.

Ndërkohë nga Prishtina do të vinin në Tiranë një grup gazetarësh të “Rilindjes”, të zgjedhur me kujdes nga regjimi, emrat e të cilëve nuk thoshin asgjë, pasi nuk lexoheshin. Dhe, si ndodh shpeshherë me të panjohurit, askush nuk do ta kishte marrë vesh ardhjen e tyre, nëse në një cep të gazetës “Bashkimi” nuk do të ishte vënë një shënim i vogël. Vetëm kaq.

Nga ana tjetër, në universitetin e Prishtinës ishin mysafirë dhe jepnin leksionet e tyre korifejtë e mendimit shkencor shqiptar, ëndërrimi i plejadave shqiptare në Kosovë, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostollari, Kristo Frashëri, dhe Rexhep Mejdani, dijetarët më të shquar të shkencave albanologjike e historike. Ribotohej Kadare dhe Agolli si dhe “Veprat e Plota” të Poradecit.

Në vitin 1972, në muajin tetor, Kadare shkel për herë të parë Fushë-Kosovën, e njohur nga serbët si Fusha e Mëllenjave, për të cilën kishte dëgjuar aq shumë. Fusha shtrihej e qetë, e rrokshme nga syri deri ku lejonte mjegulla që kishte rënë bri saj. E ftohtë, si në çdo prag dimri. Monumenti i Betejës së Kosovës, ndodhur në vitin e largët 1389, që duhej të ishte shenjë e ndjenjës së përbashkët, në fakt është kthyer në të kundërt, në minierë të urrejtjes dhe të krimit. Sapo janë botuar, nën kujdesin e poetit të shquar, Azem Shkreli, korpusi i plotë i veprave të Kadaresë, në 10 vëllime. Në Tiranë, ku ende ka xhelozi dhe pikëpyetje rreth devotshmërisë së shkrimtarit, ka ende hezitim dhe kjo nuk është bërë. Nuk do të bëhet asnjëherë. Kadare, i cili e njeh fort mirë klimën e tmerrit, ka menduar se në Kosovë ka më shumë liri. Ia thotë këtë mikut të tij.

– Për të tjerët, për popujt sllavë, po, por për ne shqiptarët, jo, – i përgjigjet poeti i shquar, kur janë vetëm në makinë dhe ku mendohet se nuk do të përgjohen. Pastaj shton, – Ne jemi të huaj këtu, më keq se të huaj. Në sofrën e tyre sllave, ne jemi të tepërt.

Shqipëria kap çdo rast për të dëshmuar se vatra e nacionalizmit është aty.

Në vitin 1978, me një vëmendje tejet të veçantë u përkujtua 100-vjetori i ngjarjeve të Prizrenit dhe për herë të parë, publikisht, ajo u quajt “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, duke i shtuar kështu, cilësimin “Shqiptare”, si shenjë e etnisë kombëtare. Deri atëherë, ajo ishte quajtur thjeshtë “Lidhja e Prizrenit”.

Të gjitha këto po sillnin imazhin e ri të lidhjeve të përbashkëta dhe, krejt befas, sidomos për njerëzit e zakonshëm, erdhi njoftimi se në Kosovë kishte ndodhur diçka.

E vërteta është se njoftimi i parë për demonstratat e 11 marsit në Kosovë është bërë i njohur, pra publik, më 17 mars 1981, gjashtë ditë pas zhvillimit të tyre. Ky ishte një njoftim i shkurtër, pa koment, burim i së cilës ishte agjencia e lajmeve Tanjug, dhe i cili u përforcua edhe nga disa agjenci të tjera informative. Nuk është bërë ndonjë kujdes i veçantë për afshimin e tyre dhe po ashtu, vëmendja ndaj botimit të artikullit apo dhënies së lajmit, nuk ka qenë e një rëndësie të veçantë. Në ditarin radioteleviziv të RTSH ai u dha, pa foto të veçanta, së bashku me lajmet e tjera të dorës së dytë, ndërsa në gazetën “Zëri i Popullit”, që ishte asokohe gazeta kryesore e vendit, me më shumë se 100 000 kopje në ditë, shënimi u vendos në faqen e katërt, majtas, aty ku edhe më parë vendoseshin lajmet e përgjithshme të politikës së jashtme.

Si do ta përcaktonte saktësisht analisti i shquar shqiptar Shaban Sinani, “kjo ishte faza e një mpirje të dukshme të opinionit në Shqipëri që, siç duket nga shënimet e vëzhguesve politikë, në Kosovë u shoqërua me ankth e padurim”.

Ishin disa ditë, gjatë të cilave, njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët ishin në pritje të një zhvillimi të ri apo edhe të ndonjë lajmi më të gjerë se kaq. Kishte një vajtje ardhje më të dendur tek njeri tjetri, sidomos tek të afërmit antenat satelitore e të cilëve mund të shfaqnin pamjet e Radiotelevizionit të Prishtinës. Mirëpo edhe aty, pas 11 marsit e deri më 26 mars, nuk mund të merrje më shumë se sa një informacion të cunguar e shenjat e dënimit të udhëheqjeve të larta politike, republikane e krahinore. Por këto nuk i jepnin përmasat e asaj që kishte ndodhur. Për fat të keq, një mik i imi shqiptar i Kosovës, Idriz Zeqiraj, me të cilin, në vitin e parë të studimeve universitare, kishim jetuar për shumë kohë në një dhomë konvikti, ishte i dënuar dhe, si do lexoja më pas, në njërën pikë të aktakuzës, kishte, si një lloj marrëzie të kohës, edhe miqësinë me mua. Idrizi ishte dënuar përmes tre dëshmitarëve të rremë, njëri nga të cilët ishte tepelenas, ndërsa dy të tjerët shqiptarë të Kosovës. Pra, nuk kisha burim të brendshëm, por, ashtu si ujërat, edhe fjalët rrjedhin. Kishte filluar të flitej se kishte ndodhur një demonstratë studentore, por se gjithçka mbështillej rreth togfjalëshit, “kushte më të mira jetese”.

Edhe pas shumë vitesh, secili që, në një mënyrë ose në një tjetër, ka kaluar nëpër ngjarjet e asaj kohe, qoftë edhe si i jashtëm, si ishim ne në Shqipëri, nuk mund ta ketë ndjerë veten jashtë tyre. Disa gjëra mbeten në kujtesë, ashtu si dita e 8 prillit 1981, kur, për herë të parë, në gazetën kryesore të kohës dhe, më pas, disa herë radhazi në emisione të veçantë radiotelevizive, u shfaq qëndrimi i shtetit shqiptar. Ishte e diel dhe kisha shkuar në shtëpinë time në Shkodër. Ishte ditë plot diell, krejtësisht pranverë. Nga të gjitha radiot e komshinjve dëgjoja spikerin e radios tek lexonte, për të disatën herë, tekstin e plotë të artikullit të parë në “Zërin e Popullit”. Atë ditë, gazeta kishte dalë me dyfishin e tirazhit të saj, pra në 200 000 kopje, dhe, që në mëngjesin e hershëm, nuk e gjeje dot askund. Ishte shitur brenda pak çasteve dhe, nëpër të gjitha anët e rrugëve, ishin ndaluar njerëzit që kishin filluar ta lexonin, pa pritur që të shkonin në shtëpi.

Jam krejt i bindur se qëndrimin e shtetit shqiptar e përkrahën të gjithë shqiptarët, edhe ata që ishin pro regjimit, edhe ata që nuk e donin atë. Unë jam rritur në një familje e cila, në dy degët e mëdha të saj, kishte dy qëndrime të ndryshme. Shtëpia në të cilën jetoja unë,e njohur si “Shtëpia e madhe e Gjylbegajve”, kishte qenë që në fillim në radhët e lëvizjes nacionalçlirimtare dhe kishte dhënë tre dëshmorë. Njëri prej tyre ishte vëllai i nënës, Naim Gjylbegu, i cili u vra në Vig të Mirditës, jo nga gjermanët, por nga ballistët e Markagjonit. Shtëpia tjetër, jo larg nesh, që njihej si “Gjylbegët tek Çinari Hoxhë Dheut” kishte qëndruar në anën e kundërt. Madje njëri prej banorëve të saj, Musa Gjylbegu, u bë edhe ministër në një qeveri kolaboracioniste, në vitin 1944. Sidoqoftë, të dy shtëpitë,por edhe të tjerat e të njëjtit fis aty rreth e rrotull, kishin qenë gjithnjë të afërta për njëra tjetrën. E solla shembullin, ndoshta gjatë, për të treguar se të dy shtëpitë e mbështetën njëlloj qëndrimin e shtetit shqiptar dhe unë këtë, duke qenë “i brendshëm”, e di fare mirë. Mund të shkoj edhe më tej: djemtë e dy shtëpive ishin të gatshëm, në rast se organizohej diçka, edhe të luftonin për Kosovën, pavarësisht se nën urdhrat e kujt do të ishin. Befas, në të gjitha shtëpitë e Gjylbegajve, filluan të tregoheshin fotografi të kohës kur “Kosova kishte qenë Shqipëri”, pra të viteve të luftës, kur ishte bërë bashkimi. Foto në të cilat ose dalloheshin pjesëtarë të fisit të veshur ushtarakë, si në fakt kishin qenë, ose me qeleshet e bardha në kokë dhe kostume evropianë të modës së fundit, nga universitetet që kishin ardhur. Ata, që dikur quheshin ballistë, kishin një ndjenjë më të shprehur përafrimi, ndoshta ngaqë mendonin se kishin pasur të drejtë në kohën e tyre.

Nuk do të flas për reagimet në shtypin apo median e kohës. Për shumë prej tyre mund të besohej se gjithçka ishte e përllogaritur. Për një shtet të centralizuar si Shqipëria, kjo ishte e besueshme. Asnjë lloj fushate propogandisitike, edhe ajo më e zakonshmja, të themi, mbjelljet e vjeshtës, nuk i lihej rastësisë, e jo më t’i lihej rastësisë, një ngjarje e tillë madhore. Mirëpo, sado të ishte e përllogaritur, ndjehej në deklarimin e të gjithëve se tashmë ishte gjithçka ndryshe, se çdo gjë po kishte një fillesë krejt tjetër dhe një qëndrim, po ashtu, krejt më të natyrshëm. Njerëzit ishin në pritje se çfarë do të ndodhte në të nesërmen, cili lajm i ri do të vinte, dhe kjo nuk ishte thjeshtë shenjë kurioziteti apo e dëshirës për të mbushur hapësirën informative. Ishte shumë më tepër.

Mbaj mend një rast, i cili, megjithëse është krejt i thjeshtë, përsëri dëshmon për shumëçka. Ishim në shtëpinë e mikut të tim eti, Qamil Çelës, një figurë e njohur politike e viteve ’30 dhe më pas, mik i afërt i Fan Nolit, Sejfulla Malishovës, Gjergj Fishtës, Petro Markos, Zoi Fundos dhe Ali Kelmendit. Nuk ishte përkrahës i Enverit, megjithëse e kishte njohur atë që në rininë e hershme. Ish kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar e atdhetar i madh, Qamil Çela kishte shumë vite që ishte tërhequr në shtëpizën e tij të vogël, diku në qendër të qytetit të Elbasanit të vjetër. Po jepeshin lajmet e orës 20:00 dhe, tashmë nuk e di nëse rastësisht apo se qëllimisht ashtu ishte vendosur, spikeri befas tha: “Vazhdojmë me lajmet e brendshme. Sot ne Prishtinë…” dhe vijoi me lajmin.

Njeriu i moshuar lëvizi befasisht nga vendi dhe tha me një zë të gjallëruar: “Oh sa mirë, sa mirë! Lajmi nga Prishtina është një lajm i brendshëm”.

Njerëzit ishin aq të përqendruar, sa i vërenin e, njëkohësisht,gëzoheshin nga të tilla detaje. Qamil Çela kishte qenë mik i afërt i Bedri Pejës. Ai ndiqte gjithçka që shkruhej në shtypin e kohës dhe në një hartë të madhe të Kosovës shënonte lëvizjet më të rëndësishme, me shkrimin e tij të vogël e të rrumbullakët. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rezultati i ndeshjes Wolves – Liverpool u la në plan…