PD-ja më 23 maj mban referendumin për zgjedhjen e kryetarit
Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) përmes një referendumi do ta zgjedh kryetarin e saj më 23 maj.
Kjo do datë është caktuar pas përmbylljes së përgatitjeve për këtë proces, ku detaje ka dhënë sekretari për Çështjet Ligjore në këtë parti, Ivi Kaso.
Ai ka bërë me dije se në të gjitha degët e partisë do të ngrihen qendrat e votimit, ku nga ora 08:00 deri në 18:00 anëtarët janë të thirrur të votojnë në këtë proces të brendshëm zgjedhor.
Sipas tij, në degët më të mëdha, sipas kërkesave, mund të ngrihen edhe më shumë se një qendër votimi, me qëllim garantimin e pjesëmarrjes sa më të gjerë të anëtarësisë.
Kaso është shprehur se në total, 77 degë të Partisë Demokratike në të gjithë vendin do të përfshihen në procesin e së shtunës, të cilin ai e cilësoi si një ushtrim të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe të brendshme partiake.
Ai ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, Partia Demokratike ka zhvilluar disa procese të hapura zgjedhore që nga ngritja e Komisionit të Rithemelimit, duke i krahasuar me mënyrën e funksionimit të forcave të tjera politike.



