PD zyrtare: Berisha të përballet me drejtësinë, po i përdor demokratët siç bën Hamasi
“Sali Berisha bën mirë të shkojë të përballet me drejtësinë dhe mos të fshihet si struci. Të shkojë të provojë së është i pafajshëm dhe mos përdorë demokratët si mburojë, njësoj siç bën Hamasi”.
Kjo ka qenë deklarata e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Mirela Karabina të martën e 14 nëntorit.
Ajo shtoi se ish-kryeministri Berisha është “person i padëshiruar në SHBA dhe Britani të Madhe”.
“Për hallin e tij personal ka dy vjet që së bashku me Edi Ramën, mundohet të dëmojë PD-në, në këmbim të kullave të familjarëve të tij. Hallet dhe makthet e non gratës nuk i zgjidh dhe as do t’i zgjidhë me mashtrim të gatuar në kazanin e përbashkët me Edi Ramën dhe të servirura në mediat e paguara me paratë e krimit dhe të korrupsionit”, theksoi Karabina.
Një ditë më parë, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar ish-kryeministrit Sali Berisha shkresën me postë në shtëpi dhe në selinë e Partisë për paraqitjen e tij.
Berisha e ka refuzuar sërish.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dërguar nëpërmjet shërbimit postar dëftesat e komunikimit për njoftimin e personit nën hetim z. S. B. pranë selisë së PD-së dhe në adresën e shtëpisë, pranë Kuvendit të Shqipërisë. Njoftimi është kthyer me nënshkrimin ‘Refuzuar’. Gjithashtu u dërguan dëftesat e komunikimit edhe avokatëve mbrojtës, përfaqësues të tij me prokurë të posaçme”, njofton Gjykata.
Në orën 15:50, avokatët e Sali Berishës kanë dorëzuar ankimimin e plotë në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër masës “detyrim paraqitje” të caktuar për aferën e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.
Gjykata e Posaçme ka njoftuar avokatët e Sali Berishës dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të paraqiten në sekretarinë e Gjykatës Anti-Korrupsion për të marrë vendimet e zbardhura gjyqësore ndaj tyre si persona në hetim për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.



