PDK-ja bojkoton mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, shkak largimi i fotografisë së Thaçit

06 shkurt 2020 | 11:50

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë vendim të bojkotojë mbledhjen e Kryesisë Kuvendit, si reagim ndaj veprimeve të kundërligjshme të kryeparlamentares Vjosa Osmani, me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë gjatë konferencës për medie në Kuvend se koalicioni LV-LDK e ka filluar keq punën dhe sjelljen institucionale.

“Unë e kuptoj se njerëzit kanë nevojë të inspirohen, por për gjëra të tilla janë ambientet dhe hapësirat private. Në institucionet zyrtare janë të rregulluara me ligj. Fotografia e presidentit Rugova është në hapësirat e Kuvendit dhe gjatë udhëheqjes së Kuvendit nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është trajtuar me kujdes. Në situatën në të cilën ndodhemi tani, proceset të cilat janë përpara, vlerësojmë se duhet të ketë kohezion të brendshëm. Ne besojmë që opozita e ka vendin në Kuvend. Është mirë për vendin, por është mirë edhe për pushtetin. Ndërsa veprimet e zonjës Osmani, opozitës ia pamundësojnë këtë dhe e largojnë nga institucioni. Pra, si rezultat i këtij veprimi të kundërligjshëm, ne si partia më e madhe opozitare, nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”.

“Kërkojmë që fotografia zyrtare e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, të kthehet në vendin e vet dhe zonja Osmani të ndalojë veprimet që nuk janë në përputhje me ligjin dhe të cilat e pamundësojnë opozitën të jetë në Institucione dhe të kontribuojë në rolin e saj që e ka të drejtë dhe obligim”, ka thënë Hamza.

Hamza ka theksuar se ka pasur shkelje procedurale për mënyrën e thirrjes së seancës për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.

“Zonja Osmani e ka nisur komplet mbrapsht punën e saj që nga mënyra e zgjedhjes së saj dhe kjo nuk është në rregull. Në ditën që u votua Qeveria pasi deputetët u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre, anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare u ftuan përmes një lajmërimi në ‘Viber’ të stafit të administratës në ora 18:26 për të marrë pjesë në mbledhje të Kryesisë në ora 18:30”.

“Pra për 4 minuta dhe pa specifikuar as qëllimin e mbledhjes e as pikat e rendit të mbledhjes dhe në kundërshtim edhe me Rregulloren, por edhe me logjikën e thirrjes së mbledhjes. Sipas kësaj logjike, anëtaret e Kryesisë duhet të qëndrojnë afër sallës së mbledhjeve se përndryshe nuk mund të arrijnë kurrë në mbledhje”.

“Ka qenë e ditur dhe ua kemi thënë në seancë të Kuvendit se ka marrëveshje mes partnerëve të koalicionit VV-LDK dhe Listës Srpska, por ata gjatë ditës e kishin mohuar. Por, natën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit u konfirmua ajo që ne e thamë ditën dhe zonja Osmani u zgjedh kryetare e Kuvendit me pazare të qarta me Listën Serbe sepse ndryshe nuk do të mund të votohej atë natë”, ka thënë Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur aktori i njohur amerikan, Kirk Douglas, i cili…