
PDK-ja: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, një nga momentet më thelbësore dhe historike
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka theksuar se sot po bëhen 35 vjet nga miratimi i Deklaratës Kushtetuese për Kosovën, që përfaqëson një nga momentet më thelbësore dhe historike në rrugëtimin politik të popullit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Përmes këtij akti juridiko-politik, u shpreh në mënyrë të qartë dhe të guximshme vullneti kolektiv për shtetësi. Kjo deklaratë, e mbështetur në parimet universale të barazisë, lirisë dhe demokracisë, i parapriu hartimit të Kushtetutës së Kaçanikut dhe shënoi një pikënisje të rëndësishme për proceset e mëtejme të shtetformimit dhe ndërtimit institucional të Republikës së Kosovës”, është thënë në urimin e PDK-së.
Kjo parti ka theksuar se ka respekt dhe mirënjohje për delegatët, të cilët me guxim dhe pjekuri politike, shpallën Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me republikat tjera të ish-Jugosllavisë, pavarësisht rrethanave të vështira dhe pranisë së forcave policore serbe që kishin rrethuar ndërtesën e Kuvendit ku po zhvillohej kjo ngjarje historike.