PDK-ja dhe AAK-ja për asociacionin: Po jetësohet dëshira e Millosheviqit

24 prill 2023 | 11:55

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë quajtur Asociacionin e komunave me shumicë serbe të dëmshëm dhe plotësim i dëshirës së Sllobodan Millosheviqit.

Nga PDK-ja  kanë thënë se me themelimin e asociacionit po përmbushet formula e Millosheviqit, ndërsa nga AAK-ja e shohin si më të dëmshme versionin aktual se sa atë të marrëveshjes së vitit 2015.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë për “Ekonomia Online”, se pika e shtatë e marrëveshjes së Ohrit, është rikthim i ofertës së Millosheviqit për ta krijuar një Jugosllavi të re.

Ai ka thënë se asociacioni është e njëjta me atë se çfarë ka dëshiruar ish-presidenti Sllobodan Millosheviq.

“Për shkak të procesit politik dhe mbylljes së tij në raport me Serbinë, këta (Vetëvendosje) kanë krijuar parakushte pritjet e tyre (Serbisë) dhe parakushtet e tyre janë Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit, që kanë rrëshqitur tërësisht në tradhti dhe është zhbërje e shtetit të Kosovës. Kthimit në një status ose ofertë të Millosheviqit më të kahershme më shumë autonomi dhe më pak se shtet i pavarur, pra një republikë në kuadër të një Jugosllavie të re apo përmes asaj pikës 7-të që thotë se e përmbush formulën e Millosheviqit se ‘aty ku është një serb, aty do të quhet Serbi’. Asociacioni i hapur që po dëshirojnë me krijuar është se çfarë ka dëshiruar kryekrimineli i Ballkanit”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, asociacioni i vitit 2015, është i njëjti siç ekziston me komunat shqiptare. Ndërsa asociacioni që derivon nga marrëveshja e Ohrit, përbën një dëm të madh për shtetësinë e Kosovës.

“Asociacioni i vitit 2015 sipas vendimit të gjykatës Kushtetuese është modeli se çfarë e kemi në Kushtetutë dhe në pako të Ahtisaarit, dhe e kemi një të tillë me 33 komuna, ky model është. Pra një organizatë që koordinohen kryetarët e komunave e ndërtojnë politika në favor të komunave, dhe korrespondojnë me Qeverinë qendrore. Kurse ky nuk ka të bëjë me këtë nivel organizativ, kjo është autonomi administrative, territoriale e politike. Kjo është vetëqeverisja ‘Samoupravlanje’ është konform edukimit shkollor dhe dogmës në të cilën është ngritur dhe i ndërtuar kryeministri dhe komplet stafi i tij që e përbëjnë dhe kryekëshilltari i tij, zotëri Surroi”, ka thënë Berisha.

Të dëmshëm e ka quajtur asociacioni edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Ai ka thënë se Kosova është dashur ta pranojë më mirë atë të vitit 2015, pasi modeli aktual është shumë më i dëmshëm.

“Sa i përket marrëveshjes së Ohrit, ne si AAK e kemi përkrahur duke u bazuar sepse çdo marrëveshje tjetër po vjen edhe më e keqe dhe e papranueshme, prandaj e kemi përkrahur, me arsyetimin se ajo që e kemi pas marrëveshjen e vitit 2015, ka qenë ndoshta shumë më e mirë se sa tani që e kanë propozuar dhe mendoj që ne e kemi thënë troç që qeveria, zotëri Kurti të jetë i vëmendshëm sa i përket draftit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse mendoj aty mund të krijohet një nivel i tretë dhe me të drejtë e them se shumë më e përshtatshme ka qenë e vitit 2015 se sa ky aktual”, është shprehur Lekaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot mbush 55 vjet. Për…