PDK-ja do të ketë rimëkëmbje të shpejtë

09 gusht 2021 | 10:15

Anëtari i Kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adri Nurellari, ka thënë se kjo parti do të jetë garanci e ekuilibrit demokratik kundrejt rrezikut të tiranisë së shumicës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se PDK-ja do të jetë ndërgjegjja e demokracisë së Kosovës. Sipas tij, opozitarizmi i PDK-së do të jetë zë i qytetarëve, zë i interesit të shtetit dhe interesit të kombit.

Nurellari ka thënë se madhësisë së numrave të qeverisë PDK-ja do t’i përgjigjet me epërsi morale.

Duke përmendur arsyet e angazhimit në këtë parti, ai është shprehur i bindur se PDK-ja do të ketë një rimëkëmbje të shpejtë.

“Epoka e re”: Z. Nurellari, pse vendoset të bëheni pjesë e Kryesisë së PDK-së?
Nurellari: E shikoj si hap të natyrshëm dhe logjik të radhës pas një dekade që jam i angazhuar si këshilltar politik pranë ish-kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit. Po ashtu, e shoh edhe si një hap të mëtejshëm të përfshirjes sime tashmë aktive në jetën shoqërore të Kosovës, përtej angazhimeve në media, shoqëri civile apo mësimdhënie. Jam mirënjohës për besimin që më ka dhënë lideri i opozitës, Memli Krasniqi, për t’iu bashkangjitur kryesisë së partisë dhe mezi pres ta dëshmoj veten se e kam merituar këtë besim. Unë mendoj se është edhe çështje përgjegjësie morale dhe akt fisnik që të angazhohesh në një parti në situatën e vështirë të opozitës sesa të aderosh duke iu servilosur pushtetit të ri sikurse po ndodh sot në Kosovë. Pra, besoj se një politikan i vërtetë e dëshmon veten më mirë në opozitë, ku mjetet e burimet janë shumë të kufizuara dhe ku kërkohet shumë më tepër idealizëm, kurajë dhe dedikim.

“Epoka e re”: Çfarë do të thotë për ju të jesh pjesë e kësaj partie politike?
Nurellari: Unë e shikoj me kënaqësi e krenari që jam pjesë e një organizate politike e cila i ka rrënjët në luftën çlirimtare të Kosovës dhe u ka prirë proceseve më të rëndësishme të vendit, pavarësimit e shtetndërtimit. Mendoj se është parti e patriotizmit të vërtetë e jo atij tallava që mbizotëron sot në rrjetet sociale; e përgjegjësive politike shtetërore e jo e retorikës populiste sterile që ka marrë kontrollin e shtetit sot; e kurajës së ballafaqimit të problemeve e jo e neglizhimit e fshehjes; e partneritetit me ShBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë dhe jo e frikës nga “thikat mbi harta” të Shtëpisë së Bardhë, e vizionit largpamës e projekteve të mëdha e jo e debateve shterpe moraliste pa produktivitet si ato që po shohim vitet e fundit. PDK-ja është parti e qendrës së djathtë që gjatë shtatë vjetëve që ka udhëhequr qeverinë e ka bërë Kosovën të citohet çdo vit nga Banka Botërore si reformatorja më e mirë duke mbajtur një mesatare të rritjes ekonomike më të lartën në rajon. Prandaj, unë ndihem si në shtëpinë time në këtë parti dhe, pavarësisht prej shumë problemeve që ka pasur, ka e do të ketë, unë jam i sigurt që kjo parti siguron ofertën më të mirë për interesat e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

“Epoka e re”: Sfida e parë e kryetarit dhe kryesisë së re të PDK-së do të jenë zgjedhjet lokale. Si e shihni paraqitjen e kësaj partie në këto zgjedhje?
Nurellari: Unë jam optimist se do të ketë një rimëkëmbje të shpejtë. Së pari, një herë rifreskimi i strukturave drejtuese e ndryshon ndjeshëm imazhin publik të PDK-së. Duhet pranuar që konsumi i pushtetit si dhe gabime apo pakujdesi të ndryshme që mund të jenë bërë gjatë qeverisjes së PDK-së e kanë dëmtuar popullaritetin, prandaj prurja e figurave të reja pa hipotekë prej së kaluarës e riparon këtë kosto. Shkuarja në Hagë e dy ish-kryetarëve, Veseli e Thaçi, mandej qe një tërmet i rëndë nga i cili mezi po e marrim veten. Unë mendoj se Partia Demokratike e Kosovës ka paguar edhe një kosto tepër të madhe e të pamerituar për shkak të përgjegjshmërisë dhe kurajës që ka treguar duke u ballafaquar me problemet e rënda e të pakëndshme të vendit. Rasti më domethënës është dialogu, ku PDK-ja është treguar e vetëdijshme se ajo temë është e domosdoshme për t’u ballafaquar pavarësisht se nuk është aspak temë popullore. Ndryshe nga mënyra se si po vepron Kurti që po i shmanget gjithmonë kësaj përgjegjësie, duhet thënë se shumë aktorë politikë janë bashkuar me retorikën e zërave dashakeqë të huaj, duke u treguar nihilistë e mohues ndaj arritjeve të deritanishme të Kosovës dhe kanë ushqyer pritshmëri të ekzagjeruara dhe aspirata jorealiste te qytetarët të cilat shkaktuan një pakënaqësi të paarsyeshme ndaj partisë sonë.
Tashmë që PDK-ja prej vitesh nuk e ka kryeministrin, po bëhet gjithnjë e më e qartë se vendi është në stanjacion të plotë, për mos të thënë në regres. Prandaj unë jam i bindur që brenda një kohe të shkurtër magjepsja me populizmin e Kurtit do të zbehet e gjithnjë e më shumë qytetarë do të ndërgjegjësohen se kjo qeveri jo vetëm nuk i përball dot sfidat që Kosova ka përpara, por edhe detyrat e përditshme të qeverisjes nuk di t’i bëjë mirë. Gjithnjë e më shumë qytetarë të Kosovës po vetëdijesohen se modeli i qeverisjes së PDK-së padyshim që nuk është i përsosur e ka të meta, por ama është më rezultativ e i përgjegjshëm se modelet e qeverisjes nga kryeministra të LDK-së, të AAK-së e, së fundmi, të LDK-së. Për mos të folur mandej që rezultatet e qeverisjes lokale të LV-së, në Prishtinë, Prizren e Mitrovicë, kanë qenë katastrofale dhe vështirë që magjia e popullaritetit të Kurti ta mbulojë shijen e hidhur me dështime, mashtrime, skandale e abuzime që ka lënë te qytetari.

“Epoka e re”: Po ndaj qeverisë, cila duhet të jetë qasja e lidershipit të ri të kësaj partie?
Nurellari: Opozita ka një rol thelbësor në demokraci duke luajtur rolin e kundërpeshës, kontrolluesit dhe mbrojtësit të demokracisë dhe në këtë aspekt PDK-ja do të jetë garancia e ekuilibrit demokratik kundrejt rrezikut të tiranisë së shumicës. Prandaj, ajo do ta mbikëqyrë qeverinë dhe administratën shtetërore për ta rritur llogaridhënien në të gjitha proceset politike, duke siguruar një menaxhim sa më të mirë të parave të taksapaguesve. Ajo jo vetëm që do të mbajë një qëndrim kritik e do të bëjë presion për transparencë në qeverisje, por edhe do të luajë një konstruktiv, cilësor dhe proaktiv, duke krijuar një kontrast të qartë nga modeli opozitar obstruktiv dhe i dhunshëm i LV-së gjatë kohës që ajo ishte në opozitë.

“Epoka e re”: Numri i deputetëve të PDK-së në Kuvend mund të jetë problem për ta bërë opozitën e duhur?
Nurellari: Unë mendoj se edhe pse ka pak numra në Kuvend, PDK-ja do të jetë ndërgjegjja e demokracisë së Kosovës duke shërbyer si zëri i qytetarëve, zëri i interesit të shtetit, interesit të kombit. Madhësisë së numrave PDK-ja do t`i përgjigjet me epërsi morale, sasinë do ta ballafaqojë me cilësi. Qeveria e sotshme, duke siguruar edhe pozitën e presidentit falë flirtimit të një pjese të opozitës, është më e fuqishme se asnjëherë më parë. Ky përqendrim kaq i madh i pushtetit në një dorë kërcënon demokracinë e sundimin e ligjit në Kosovë. Lordi Acton thoshte: pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute. Prandaj në kushtet e tendencave gjithnjë e më të theksuara autoritare e arbitrare të qeverisë Kurti, PDK-ja është partia e vetme që është barrierë ndaj këtij lideri populist. Nëse të gjitha partitë e tjera parlamentare kanë bashkëpunuar ngushtë me Kurtin, i janë nënshtruar atij apo në rrethana të caktuara kanë hyrë në agjendën e tij anti-institucionale apo anti-perëndimore, PDK-ja është e vetmja parti që ka qëndruar koherente e konsistente në qëndrimin shtetndërtues properëndimor. Prandaj, PDK-ja do të vazhdojë të punojë që t’i mbrojë arritjet dhe orientimin e deritanishëm nga kërcënimi i atyre që mohojnë gjithçka të kaluar dhe pretendojnë se historia nisi kur ata hipën në pushtet. Kjo do të thotë që do të punojë në opozitë për të pasur një Kosovë demokratike, me sundim ligji, ekonomi tregu e prone private, me liri individuale, liri fjale e mendimi, me partneritet të ngushtë me aleatët, me orientim gjeopolitik properëndimor, me respekt për pronën private dhe ekonominë e tregut, me luftë kundër ndikimit të Beogradit e elementeve ish-jugosllave në Prishtinë etj.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju njofton se nga data 20…