PDK-ja i përgjigjet Kurtit: Të respektohet procesi institucional, të pritet vendimi i Kushtetueses
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili të premten ka ftuar kryetarin e kësaj partie për takim në javën e ardhshme.
Kjo parti e ka falënderuar Kurti për ftesën, duke ritheksuar se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit.
Në komunikatën e PDK-së është thënë se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK-ja vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, është thënë në komunikatën e PDK-së.



