PDK-ja insiston që rezoluta për luftën të jetë pikë e parë e rendit të ditës, Çitaku: S’është turp e dobësi ta pranoni kërkesën e opozitës
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar rëndësinë rezolutës për mbrojtjen e viktimave të luftës, me kërkesë për ta vendosur atë pas pyetjeve parlamentare, pra të trajtohet si një pikë e parë e rendit të ditës në seancën e sotme parlamentare.
Ajo ka falënderuar grupet parlamentare për kontributin e dhënë në hartimin e kësaj rezolute.
Më tutje, Çitaku këtë kërkesë e ka ndërlidhur me kulturën politike që është duke mbizotëruar në vend gjatë këtyre viteve.
“PDK-ja falënderon të gjitha grupet parlamentare për kontributin që kanë dhënë për hartimin e një rezolute e cila do të ishte një reflektim i yni si kuvend dhe një deklarim publik rreth të vërtetës historike rreth luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999. Me aq sa kuptova tashmë është arritur dakordim, mirëpo ne insistojmë që kjo të trajtohet si pikë e parë. Nuk besoj se ky Kuvend ka diçka më të rëndësishme për të trajtuar se kjo pikë. Kjo flet shumë edhe për kulturën politike që është duke mbizotëruar tash e disa vite. Për herë të parë ky kuvend ky kuvend ka seancë pa rend të ditës”, ka thënë Çitaku.



