PDK-ja kërkon dorëheqjen e Bajramit, mohon se i arrestuari ka lidhje me partinë

21 tetor 2020 | 18:56

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Financave, Hykmete Bajrami, pas vjedhjes së 2 milionë eurove në Thesarin e shtetit.

PDK-ja gjithashtu ka mohuar raportimet se i arrestuari për këtë rast ka lidhje me këtë parti, duke thënë madje se i dyshuari është mbështetës i LDK-së

“Partia Demokratike e Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit. Situata është edhe më e rëndë kur në këtë fazë tejet të ndjeshme janë bërë shkarkime në tri institucione që luftojnë krimin dhe mbikëqyrin sektorin financiar të shtetit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

“Para disa ditësh, kryeministri Hoti në mënyrë arbitrare kishte shkarkuar drejtorin e Policisë, drejtorin e ATK-së dhe drejtorin e Doganës. Nuk vonoi shumë ku edhe Qeveria Hoti pa ndonjë paralajmërim ka shuar Task-Forcën për luftimin e krimeve të natyrës që sot po shohim në Thesarin e Shtetit”.

PDK-ja kërkon përgjegjësi të plotë institucionale dhe politike nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, si dhe kryeministri Hoti për këtë krim ekonomik qeveritar.

“Për t’i dhënë hapësirë hetimeve të pavarura, e për t’iu shmangur ndërhyrjes politike, PDK kërkon dorëheqjen e ministres Bajrami dhe fton organet e drejtësisë që të hetojnë çdo individ që është përfshirë në këtë krim qeveritar. Po ashtu, PDK sqaron se zyrtari i arrestuar në Ministrinë e Financave nuk është dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Përkundrazi, qytetarët e Drenasit e dinë fare mirë që i apostrofuari vjen nga një familje që tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK-së në këtë komunë. Për më tepër i ftojmë mediat që këtë ta hulumtojnë vetë jashtë PDK-së”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e fermave në futboll  po…