
PDK-ja kërkon drejtësi për vëllezërit Bytyqi
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përkujtuar vëllezërit Bytyqi në 26-vjetorin e ekzekutimit të tyre nga shteti serb. Kjo parti ka theksuar se vëllezërit Bytyqi janë mishërimi i atdhedashurisë së pastër.
Më tutje, PDK-ja ka thënë se Kosova dhe institucionet e saj kanë një detyrë të pazëvendësueshme: të mos ndalen kurrë në kërkim të drejtësisë, derisa autorët e këtij krimi shtetëror të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Në 26-vjetorin e ekzekutimit të tyre nga shteti serb – me paramendim dhe gjakftohtësi shtetërore – kujtojmë me nderim të thellë tre heronj, tre vëllezër: Mehmet, Agron dhe Yll Bytyqi. Vëllezërit Bytyqi janë mishërimi i atdhedashurisë së pastër. Me bekimin e prindërve, ata lanë pas jetën e qetë dhe të sigurt në ShBA, për të marrë rrugën e lavdisë në çlirimin e Kosovës, aty ku liria u thërriste. Si pjesëtarë të Batalionit ‘Atlantiku’ në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata dhanë kontribut të jashtëzakonshëm dhe patën fatin ta përjetojnë çlirimin – por jo pa e paguar çmimin më të rëndë. Populli i Kosovës do të mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj familjes Bytyqi për sakrificën e pashoqe. Ndërsa Kosova dhe institucionet e saj kanë një detyrë të pazëvendësueshme: të mos ndalen kurrë në kërkim të drejtësisë, derisa autorët e këtij krimi shtetëror të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme Mehmetit, Agronit dhe Yllit!”, është thënë në reagimin e PDK-së që drejtohet nga Memli Krasniqi.