
PDK-ja kërkon qeveri të re nga opozita, Haradinaj kundër tryezës me LV-në
Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet edhe në përpjekjen e dymbëdhjetë për shkak të mungesës së marrëveshjes midis partive politike, duke thelluar më tej krizën institucionale.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka propozuar krijimin e një qeverie tranzicionale, një ide që ka hasur në kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), ndërsa partitë e tjera kanë shprehur gatishmërinë për ta diskutuar.
PDK-ja ka theksuar se është e angazhuar për formimin e një qeverie të re, përbërë nga partitë që kanë qenë në opozitë gjatë mandatit të kaluar.
Sipas PDK-së, ky është opsioni më i mirë për vendin, pasi do të mundësonte rikthimin e Kosovës në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euroatlantik.
Ndërkohë, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Debat Plus mbrëmjen e së enjtes, ka theksuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në tryezën për krijimin e një qeverie tranzicioni që përfshin Lëvizjen Vetëvendosje, duke i referuar përpjekjeve të tjera të partive opozitare për të negociuar me Albin Kurtin.
Haradinaj e cilësoi të palogjikshëm nxitimin e Kurtit për të shpallur veten kryeministër kur akoma nuk kishte marrë përgjigje nga LDK-ja pas letrës për koalicion.
Në anën tjetër, Haradinaj ka shprehur gatishmërinë për të komunikuar dhe bashkëpunuar me opozitën, por pa krijuar “ura” me LV-në.