PDK-ja: Mungesa e investimeve në çerdhe dhe shkolla rëndoi jetën e prindërve në Prishtinë

11 tetor 2020 | 13:38

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë folur për mungesën shumëvjeçare të investimeve në çerdhe dhe shkolla në Prishtinë nga qeverisjet e deritanishme të kryeqytetit.

Blerand Stavileci ka thënë se arsimi i degraduar në vazhdimësi është shndërruar në brengën kryesore të familjeve tona.

“Si pasojë e mungesës së vizionit dhe mosmenaxhimit e realizimit efikas të buxhetit, arsimi po degradohet dhe është shndërruar në brengën kryesore të familjeve tona. Pasiguri e dilema të shumta nga cilësia e mësimit e deri te siguria fizike e fëmijëve tanë po e përcjellin secilën familje prishtinase”, ka thënë ai.

Po ashtu Stavileci ka thënë se qeveritë e deritanishme të kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shndërruar në pengesën kryesore të arsimit.

“Qeverisjet lokale të dy partive në pushtet, partisë Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, jo vetëm që nuk po kanë vizion, dije, guxim e energji për t’i çuar proceset përpara dhe për ta përmirësuar arsimin, por ato janë shndërruar në pengesën kryesore të kësaj fushe, duke e degraduar në të gjitha format dhe nivelet, me çka po rrezikohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Tërësisht e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi gjithë këto nevoja për investime e komunës t’i teprojnë nga 20 milionë euro në vit, ndërkaq Qeveria ta shkurtojë për afro 12 milionë euro buxhetin për arsim”, ka thënë Stavileci.

Ndërkaq deputetja nga e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka folur rreth politizimit të institucioneve arsimore në Komunën e Prishtinës, vonesën në organizimin dhe përgatitjen e objekteve shkollore, menaxhimin e dobët dhe mungesën e ndarjes së fondeve për përballje me pandeminë Covid-19.

Deputetja, Musliu-Shoshi ka potencuar se përzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave po bëhet në kundërshtim me ligjin duke mos u respektuar parimi i meritokracisë duke i nënshtruar të barabartë në konkurse.

“Problem është edhe mospërzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve me konkurs nëpër shkolla, por vazhdojnë vetëm me emërime që disa vite, dhe kjo është në shpërputhje me ligjin”, ka thënë ajo.

Deputetja, Musliu-Shoshi ka shtuar se qeverisjet e deritanishme lokale nuk kanë bërë asgjë në mbështetje të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe barrën e madhe që kanë këto familje për shkollimin dhe mbështetjen ndaj tyre.

“Kemi drejtorë të cilët nuk i pranojnë fare në shkollë dhe kemi një sistem në komunën e Prishtinës që përkundër financimit që merr nga ministria për të siguruar nga një asistent për këta fëmijë në shkollë ata nuk e bëjnë, dhe aq më keq nuk e dimë se për çka shpenzohen këto fonde. Janë familjet që vazhdojnë të paguajnë asistencën për fëmijët. Shtoja këtu edhe shpenzimet tjera që kanë për shëndetin e tyre. Këta fëmijë janë pjesë e çmuar e shoqërisë tonë dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet, përkushtim dhe respekt nga komuna dhe shteti”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës e ka mbyllur tregun e veturave në…