PDK-ja në fund të javës e dërgon vendimin e ZRrE-së në Gjykatë Kushtetuese

18 gusht 2025 | 15:17

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do ta ankimojë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë për 1 mijë e 300 bizneset, shkyçja e të cilëve ka nisur që nga e shtuna dhe ka shkatuar alarm të madh ekonomik.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë me dije se përmes avokatit të partisë, Faton Fetahut, deri në fund të javës do ta dërgojnë lëndën për rishikim kushtetues, dhe se do të kërkojnë masë të përkohshme.

“Në konsultim me avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRrE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Që nga fillimi jemi angazhuar me vendosmëri për ta ndalur ZRrE-në nga zbatimi i vendimit të saj të padrejtë, i cili i detyron mbi 1 300 biznese të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë – në kohën kur vetë ZRrE-ja nuk ka krijuar as kushtet minimale për një gjë të tillë.

Këtë betejë e nisëm në gjykatat e rregullta, duke përdorur çdo mjet juridik në dispozicion. Por, edhe pse provat ishin të qarta dhe pasojat për ekonominë e vendit evidente, Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën tonë, ndërsa Gjykata e Apelit e legjitimoi këtë refuzim, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRrE-së.

Në konsultim me avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRrE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.

Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280 për qind më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria.

PDK-ja do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 47-vjeçar me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë të dielën…