PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë, fton LV-në ta dërgojë mocionin në Kuvend

27 shtator 2020 | 12:51

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do t’i bashkohet qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, ndonëse një gjë e tillë është përfolur vazhdimisht kohëve të fundit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka konfirmuar se kjo parti nuk do t’i bashkohen koalicionit qeverisës.

“Nuk do t’i bashkohemi koalicionit qeverisës. Ne jemi gjatë gjithë kohës në teren dhe kryetari Veseli, strukturat e rinisë dhe partisë në të gjitha nivelet janë në teren me qytetarët e Kosovës dhe po angazhohemi që të forcojmë sepse kjo fazë e rëndë e pandemisë ka kërkuar një vëmendje më të shtuar te qytetarët dhe kemi çdo ditë kërkesa të tyre për tu takuar dhe ne duhet të jemi në teren pranë tyre për t’i përfaqësuar ata në Kuvend”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, mocioni i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzimin e qeverisë nuk ka qenë serioz, duke theksuar se sapo të sigurohet 40 nënshkrime, PDK-ja do veprojë brenda Kuvendit.

Deliu-Kodra ka thënë se me ligjet në fuqi nëse mocioni dështon, do t’i shtohen edhe tre muaj jetëgjatësi kësaj qeverie.

“Mocioni që në fillim të tij për mënyrën se si është qartësuar nuk ka pasur një seriozitet nga partia e Kurtit. Sapo të sigurohet 40 nënshkrime PDK do të jetë aty për të vepruar brenda kuvendit sapo ky mocion mund të jetë valid në mënyrën që të jetë i ligjshëm brenda Kuvendit”, ka thënë ajo në një intervistë për “Ekonomia Online”.

Nga marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas saj Kosova e ka humbur rastin për njohjen finale gjithëpërfshirëse.

“Ne e çmojmë rolin e ShBA-së në proceset e bërjes së Kosovës shtet. Kemi shprehur shqetësimet tona sa i përket të ashtuquajturës marrëveshje sepse nuk është marrëveshje por është një dakordim ndërmjet palëve ku dy delegacionet kanë marrë përsipër disa obligime për ti kryer konsiderojmë që Kosova e ka humbur rastin për njohjen finale gjithëpërfshirëse ku dy shtete do të garantonin një njohje të dyanshme dhe kjo është njëra prej qëndrimeve që kryeministri Hoti ka thënë në Kuvend. Delegacioni i Kosovës e ka humbur rastin për të siguruar njohjen e ndërsjellë të obligueshme dhe si pasojë ne do zvarritemi një kohë të gjatë për të pasur diçka konkrete në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe kjo është konfirmuar edhe në Parlamentin Evropian.

Natyrisht sipas saj, duhet të vazhdojë forcimi i bazën ligjore dhe i institucioneve për tu bërë pjesë e BE-së.

Më tutje, ajo ka thënë se nga përhapja e pandemisë, Kosova është rënduar në zhvillimin e politikave në interes të qytetarëve.

Deliu-Kodra kundër zgjedhjeve në kohë pandemie: Jeta e qytetarit vlen  përtej një vote! – Epoka e Re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.…