PDK-ja: Presim vendim të drejtë dhe të pandikuar, besojmë në pafajësinë dhe lirinë e çlirimtarëve
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nëpërmjet një deklarate për medie, ka thënë se pret që Gjykata Speciale të nxjerrë vendim “të drejtë, të paanshëm dhe të bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik”, për liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjykimi i të cilëve është përmbyllur të mërkurën në Hagë.
Katërshja e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë deklaruar plotësisht të pafajshëm në raport me akuzat e ZPS-së. “Në këtë fazë vendimtare, Partia Demokratike e Kosovës shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik. Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe e domosdoshme për mbijetesë përballë një regjimi shtypës. Kjo është një e vërtetë historike e njohur nga qytetarët tanë dhe e konfirmuar nga rrjedha e zhvillimeve ndërkombëtare që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, është thënë në deklaratën e PDK-së.
PDK-ja ka thënë se pret që vendimi do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës. “Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe presim që, pa zvarritje dhe mbi bazën ekskluzive të fakteve e provave, të merret një vendim i drejtë dhe i paanshëm, i cili do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës. Partia Demokratike e Kosovës rithekson solidaritetin me familjet e ish-krerëve të UÇK-së, falënderon të gjithë qytetarët për mbështetjen e madhe të dëshmuar përmes marshimeve dhe protestave, si dhe shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe hapësirën e ofruar nga mediat gjatë gjithë kësaj periudhe”, është thënë në deklaratë.

Çështja gjyqësore kundër liderëve e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka përfunduar, pas gati tri vjetëve. Të mërkurën e 18 shkurtit, avokatët e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, kanë dhënë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.
Ata kanë përsëritur argumentet e tyre se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura dhe nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kanë kërkuar aktgjykim shfajësues. Më pas, mbrojtja e viktimave, ka thënë para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.
Në fund të ditës, ishte radha e liderëve të UÇK-së për t’u deklaruar përfundimisht rreth akuzave me të cilat ngarkohen. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, secili, veç e veç kanë ngulur këmbë në fjalët e tyre përmbyllëse se ndihen tërësisht të pafajshëm dhe kanë mbrojtur luftën e UÇK-së, duke thënë se ajo ishte e drejtë dhe për çlirimin e një populli që po përballej me një luftë agresore.
Ata kanë thënë se nuk kanë kryer asnjë krim dhe se prokuroria nuk ka mundur t’i arsyetojë akuzat, siç ka thënë, të pabazuara kundër tyre.
Pas përfundimit të deklaratave të tyre, kryegjykatësi Charles Smith III e ka shpallur të shpallur të mbyllur çështjen gjyqësore.
Smith ka bërë me dije se do të jetë në kontakt me palët në muajt në vijim lidhur me datën e shpalljes dhe rishikimit të aktgjykimit në këtë rast. Trupi gjykues ka tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit. Seanca e fundit është mbajtur vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishin mbledhur në Prishtinë në mbështetje të katërshes të UÇK-së dhe për të kërkuar gjykim të drejtë. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin.



