PDK-ja: Qeveria Kurti po e zhytë vendin në krizë, propozojmë shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë

30 janar 2023 | 14:39

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë dhe ka njoftuar se nesër (e martë) do të propozojë amandamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa, ka thënë se veprimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për t’i shtrenjtuar faturat e tatimit në pronë shpërfaq mungesën e konsideratës për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike.

“Qeveria e Kosovës po e zhytë vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikë-bërjes ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve. Në rastin e tatimit në pronë, kjo mbështetje e propozuar madje nuk ka as bazë ligjore, gjë që krijon evidencë shtesë se kjo qeveri po bënë politikë shkel e shko, pa e kuptuar rëndësinë e veprimeve të veta dhe pa një plan serioz se ku dëshiron të arrijë. Ky veprim si dhe veprimet tjera janë përpjekje për të mbuluar skandalet e njëpasnjëshme e sidomos skandalin rajonal te korrupsionit shumë milionësh të ambasadorit Martin Berishaj”, ka thënë ai, duke kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të rivlerësimit mbi tatimin në pronë dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022.

“Shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë në këtë kohë të vështirë për qytetarët e Kosovës është plotësisht i papranueshëm. Për më tepër, rivlerësimi i pronave që çoi në shtrenjtimin e faturave është bërë duke u bazuar në metodologji dhe kritere jotransparente për publikun dhe duke mos i marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur për sa i përket zonimit dhe kërkesave të komunave për më tepër fleksibilitet në normat e tatimit në pronë. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij rivlerësimi dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022, ndërsa gjatë vitit 2023 kërkohet që të punohet në ligjin e ri të tatimit në pronë i cili duhet të adresojë defektet e ligjit aktual”,  është shprehur Mustafa.

Ndërsa deputeti Ferat Shala, ka njoftuar se PDK-ja ka një propozim për amendamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme, të cilin do ta dorëzoj sot në Kuvendin e Kosovës.

“Si grup parlamentar i PDK-së që nga nesër (e martë) do të ndërmarrim nismën ligjore për amadamentimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme”, ka thënë ai.

Shala ka theksuar se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK-ja propozon të hapet një debat për të rishikuar në detaje këtë ligj.

“Ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: normën tatimore me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore, zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi, kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj. Të gjitha këto duhet të bëhen pasi të miratohet amendamenti i propozuar që i lë në fuqi normën tatimore ose lartësinë e tatimit siç ka qenë para rritjes së fundit”, ka thënë Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar me kryetarin e…