PDK-ja refuzon koalicionin e madh
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hedhur poshtë pretendimet e parterëve të koalicionit qeverisës se ajo mund të bëhet pjesë e qeverisë aktuale. Zyrtarët e partive në pushtet dhe disa zyrtatë PDK-së kanë shprehur nevojën e zgjerimit të koalicionit për të pasur Kosova një qeveri më stabile për t’u përballur me sfidat që e presin vendin, por PDK-ja ka konfirmuar qëndrimin e saj se do të jetë opozitë deri në fund të mandatit.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se asnjë kalkulim i koalicionit aktual qeverisë nuk mund t’i shmangë zgjedhjet vitin e ardhshëm. “Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për ta shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm, tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre. Çfarëdo diskutimi për postin e presidentit të shtetit, duke e pasur presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe shtatë muaj, është joetik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara”, ka shkruar Krasniqi në profilin e vet në “Facebook”.
Ai i ka ftuar partitë në pushtet që të merren me punët që iu takojnë, duke shtuar se deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë. “Kërkesa jonë për koalicionin qeverisës është që të merret më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’ka qenë në gjendje ta përmbushë as minimumin e përgjegjësive që i ka marrë. PDK-ja ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar”, është shprehur Krasniqi.
Ndërsa analisti politik Faton Abdullahu ka bërë me dije se qeveria aktuale po e pranon mossuksesin e saj duke bërë oferta për partnerë të ri në qeveri. Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se me këto oferta për partitë e tjera, qeveria Hoti po përpiqet t’i amortizojë kritikat e ndryshme. “A po rrëshqet kjo qeveri në atë gjendje ku çfarëdo tjetër është më e mirë sesa të vazhdohet kështu? Jo zakonshëm këtë mossukses ajo po e pranon duke bërë oferta për partnerë të ri në qeveri. Në anën tjetër, për çudi vazhdon të thotë se po bënë punë shumë të mirë. Duket se e vetmja mundësi që kjo qeveri të mbetet në pushtet dhe të vazhdojë kështu si është, është që vetë ajo të ngjallë shpresa dhe hap mundësi për klane, parti dhe individë se ata mund të vijnë në pushtet përmes ofertave të saj”, ka vlerësuar Abdullahu. Sipas tij, kjo qeveri çdo ditë e më tepër po e tregon brishtësinë e saj. “Gjithnjë e më shumë, me brishtësinë dhe përçarjen e saj, kjo qeveri po dëshmon se çdo opsion tjetër është më i mundshëm sesa vazhdimi i saj kështu si është. Menaxhimi i pandemisë, sidomos fillimi i vitit të ri shkollor, do të duhej të ishte prioritet mbi prioritetet për këtë qeveri por, nuk janë”, është shprehur ai, duke shtuar se pikat e dobëta të kësaj qeveri janë menaxhimi i pandemisë dhe dialogu me Serbinë. “S’ka asgjë të re nga qeveria aktuale që e demanton të vjetrën se ShBA-ja nuk është e përfshirë në dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel. Me oferta të reja për parti, klane dhe grupe të ndryshme që ato të bëhen pjesë e qeverisë Hoti po mundohet edhe t’i amortizojë kritikat e ndryshme, sidomos ato mbi menaxhimin e pandemisë dhe dialogut me Serbinë”, ka vlerësuar Abdullahu.
Edhe politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se qeveria aktuale nuk do të jetë edhe shumë gjatë në pushtet. Sipas tij, sa më shumë që të zgjatë kjo qeveri aq më shumë do të rritet pakënaqësia e qytetarëve. “Sa më shumë ta vazhdojë punën kjo qeveri aq më shumë do ta ngrehë pezmin e pakënaqësisë dhe revoltës qytetare e cila vetëm sa do të ashpërsohet nëse zgjerohet koalicioni qeverisës. Ana e mirë e kësaj zgjidhje të keqe do të ishte zhveshja e motiveve të partnerëve përfitues të cilët në zgjedhjet e radhës do të ndëshkohen nga votuesit”, ka thënë ai.
Beqaj ka deklaruar se zgjedhjet e reja do të mund të shkaktohen më së largu deri në vjeshtë të këtij viti. “Kjo qeveri do ta kryejë rolin e ‘stafet mbajtjes’ deri në zgjedhjet e lira që do të shkaktohen më së largu në vjeshtë, kur duhet të krijohet një qeveri legjitime dhe me mbështetje serioze të brendshme dhe ndërkombëtare. Qeveria e re do të angazhohet për zgjidhje të marrëveshjes me Serbinë brenda kufijve ekzistues duke gjetur kualitetin e ri mes shumicës dhe pakicës në Kosovë bazuar në të drejtat universale”, ka thënë Beqaj.
Kosovës i duhet një qeveri me 61 vota shqiptare
Që nga publikimi i propozimaktakuzës për presidentin Hashim Thaçi dhe liderin PDK-së, Kadri Veseli nga Gjykata Speciale, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate kanë shprehur interesin e tyre për zgjerim të koalicionit qeverisës. Për këtë skenar kanë qenë edhe disa zyrtarë të PDK-së.
Anëtari i Kryesisë i PDK-së, Xhavit Haliti, ka bërë me dije se për t’u përballur Kosova me të gjitha sfidat që e presin, vendi duhet të ketë një koalicion të madh me politikanë e ekspertë të mirë e të përgjegjshëm. “Pyetja që shtrohet shpesh këto ditë, për sa i përket koalicionit qeverisës: të hyjë PDK-ja ose jo? Edhe në këtë rast unë e kam mendimin tim. Kosova është në udhëkryq të madh për shumë arsye. Po i numëroj disa, pa bërë kategorizim sa i përket rëndësisë së tyre: pandemia Covid-19, dialogu me Serbinë, ndalimi i njohjeve të shtetit të Kosovës, tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës, Gjykata Speciale. Shto këtu edhe ekonominë e dobët, arsimimin që lë për të dëshiruar, shëndetësinë, papunësinë, korrupsionin, nepotizmin, organet e sigurisë, integrimin në institucionet ndërkombëtare, aleancat strategjike me ShBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe etj., politika e jashtme… që të mos i numëroj të gjitha me radhë. Të gjitha këto çështje kërkojnë politikëbërje të përgjegjshme shtetërore dhe jo individë apo koalicion të brishtë si ky që e kemi”, ka deklaruar Haliti.
Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se partitë duhet të heqin dorë nga interesat e ngushta. “Duke besuar në fuqinë e PDK-së, tek ekspertët dhe te politikanët e saj, mendoj se duhet bashkuar (sipas një marrëveshjeje) së pari me LDK-në, edhe me partitë e tjera për ta qeverisur vendin, për t’u përballur me çështjet që duhet t’i zgjedhim. Prandaj edhe po kërkoj që të lihen interesat personale për interesin e vendit dhe të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Haliti. Megjithatë, ai ka deklaruar se do t’i respektojë vendimet e partisë për këtë çështje.
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka bërë me dije për “Epokën e re” se në këtë situatë kur Kosova po përballet me sfida të shumta, qeverisë së vendit i duhen 61 vota të partive shqiptare. Ai ka vlerësuar se me një shumicë të tillë Kosova do të përballej më lehtë me Gjykatën Speciale, pandeminë dhe dialogun me Serbinë. “Ajo që mendoj se i duhet Qeverisë së Kosovës në një situatë të tillë, është se qeveria duhet t’i ketë 61 vota të partive shqiptare. Por, për këtë duhet të vendosë partia që e ka kryeministrin. Në një situatë të tillë, Kosova do të përballej më lehtë me Gjykatën Speciale, pandeminë dhe dialogun me Serbinë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, janë shprehur të gatshëm për të diskutuar me PDK-në për zgjerim të koalicionit qeverisës.
LDK-ja dhe AAK-ja ende s’kanë diskutuar për çështjen e presidentit
Ndonëse LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë folur për çështjen e presidentit, lideri i kësaj të fundit, Ramush Haradinaj, mund të jetë kandidat për president të Kosovës. Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie, ai ka thënë se ky mekanizëm i partisë e ka autorizuar të flasë për këtë çështje. “Falënderoj Këshillin Drejtues për besimin dhe autorizimin që më dha, që në emër të Aleancës t’i zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të Kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, është shprehur Haradinaj. Por zyrtarët e LDK-së kanë deklaruar se çështja e presidentit nuk është në rend të ditës. Nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, ka thënë se deri më tani partnerët e koalicionit qeverisës nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. “Derisa e kemi këtë gjendje nuk kemi zhvillim tjetër politik. Nuk e kemi parë të arsyeshme të flasim për çështjen e presidentit. Tekefundit, në afatin kushtetues presidenti e ka mandatin e vet. Nëse pretendimet e Prokurorit të Specializuar konfirmohen nga ana e gjykatësit të rastit, atëherë LDK-ja bisedon me partnerët dhe partitë e tjera politike”, ka thënë Haziri.
Muhamet KOCI