PDK-ja shpreh solidaritet me qytetarët dhe komunat e prekura nga vërshimet, kërkon angazhim të plotë institucional
Partia Demokratike e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me çdo qytetar që është prekur nga vërshimet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.
“Situata e krijuar në shumë zona të vendit, ku familje të tëra janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre pasi kanë pësuar dëme të konsiderueshme, kërkon reagim të menjëhershëm, të koordinuar dhe të përgjegjshëm institucional”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK-ja u bën thirrje institucioneve qendrore që të marrin përgjegjësinë e plotë që u takon, duke aktivizuar të gjitha mekanizmat shtetërorë për menaxhimin e situatës emergjente.
“Ndihma për komunat e prekura, familjet dhe bizneset duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe pa burokraci të panevojshme. Në këto momente, prioritet absolut duhet të jetë siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe pronës, si dhe rikthimi sa më i shpejtë i normalitetit në zonat e prekura. Partia Demokratike e Kosovës, përveçse qëndron pranë qytetarëve në çdo komunë të vendit, i siguron qytetarët se në komunat ku qeveris është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme institucionale për t’u dalë në ndihmë, në mënyrë që askush të mos mbetet i vetëm në përballimin e kësaj situate të vështirë”, theksohet në reagimin e PDK-së.



