
PDK-ja zotohet se do t’i zbardh abuzimet në procesin e privatizimit
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gazmend Bytyçi dhe Sejdi Hoxha, kanë mbajtur të hënën një konferencë për media, përmes së cilës ka njoftuar më gjerësisht për punën e komisionit parlamentar për privatizimet, themelimin e të cilit e kishte iniciuar PDK-ja në korrik të këtij viti, raporton “Epoka e re”.
Deputetët Bytyqi dhe Hoxha kanë paralajmëruar se do të nxjerrin me emër dhe mbiemër të gjithë abuzuesit e pronave publike në Kosovë dhe përkatësinë e tyre politike.
“Për një kohë të gjatë Partia Demokratike e Kosovës është akuzuar padrejtësisht për abuzime dhe përfitime të paligjshme me procesin e privatizimit. Madje shumë prej këtyre akuzave kanë ardhur pikërisht nga partitë që më së shumti kanë shfrytëzuar këtë proces për interesa të ngushta të zyrtarëve të saj”, ka thënë deputeti Bytyçi.
Ndërkaq deputeti Hoxha ka theksuar se si PDK kanë nisur këtë proces që synon të zbardhë keqpërdorimet e mundshme që mund të kenë ndodhur në këtë proces. “Si dhe t’i informojmë drejtë të gjithë qytetarët e vendit për çdo lidhje politike që kanë pasur personat të cilët kanë privatizuar asetet shtetërore të vendit tonë”, ka shtuar deputeti Hoxha.
Komisioni ka përzgjedhur edhe katër ekspertë profesionalë të cilët do ta ndihmojnë punën profesionale të tij.
Për intervistim në këtë komision janë ftuar ish ministra, drejtorët e bordeve dhe drejtorët ekzekutiv të Bordit të Privatizimit, si dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut të cilët kanë qenë pjesë e bordit të AKP-së.
Në listën e dëshmitarëve janë propozuar që të jenë edhe ish kryetari i Bordit të AKM-së, Andy Bearpark dhe drejtorët menaxhues, Herbert Schmidt, Yergen Mendricki dhe Jasper Dick.