
PDK-ja zyrtarizon rikandidimin e Shaqir Totajt për kryetar të Prizrenit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar rikandidimin e Shaqir Totajt për kryetar të komunës së Prizrenit për zgjedhjet e 12 tetorit.
Me këtë rast, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se prizrenasit do ta kenë shumë më të lehtë të vendosin për të arshmën e tyre duke e votuar Totajn.
“Mbrëmë, në një atmosferë tepër pozitive dhe festive, mes shumë qytetarëve dhe aktivistëve, zyrtarizuam rikandidimin e Shaqir Totajt për kryetar të Prizrenit. Gjatë katër viteve të fundit, Shaqa, duke nderuar epitetet e Prizrenit si qytet ‘historik’ dhe ‘kulturor’, ia ka shtuar edhe dy të tjerë: ‘i punës’ dhe ‘i zhvillimit’. Kudo që të lëvizësh nëpër komunën e Prizrenit, dallohen qartë rezultatet e përkushtimit dhe punës së tij dhe të ekipit të tij në shërbim të qytetarëve. Prandaj, më 12 tetor, prizrenasit do ta kenë shumë më të lehtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Sepse me Shaqën, Prizreni është gjithmonë në punë!”, ka theksuar Krasniqi.