PDK: Kërkojmë pako emergjente për përballimin e rritjes së çmimeve
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) bën thirrje urgjente që Qeveria të hartojë dhe zbatojë një pako emergjente për përballimin e krizës ekonomike, duke përfshirë masa për uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve, mbështetje për familjet dhe bizneset.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për veprime të menjëhershme,” thekson PDK në komunikatën e saj.
Sipas PDK-së, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për rritjen e çmimeve të naftës, shërbimeve dhe inflacionit, “kryeministri, ministrat dhe deputetët e shumicës parlamentare bojkotuan pjesë të konsiderueshme të seancës,” duke krijuar, sipas partisë, “një shpërfillje të hapur ndaj qytetarëve që përballen me rritjen e kostos së jetesës.”
PDK potencon gjithashtu se çmimi i naftës ka arritur sot 2 euro e 3 cent, duke reflektuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë. Sipas partisë, “në vend të veprimeve konkrete për lehtësimin e barrës financiare për qytetarët, po shohim heshtje dhe mungesë reagimi institucional.”
Partia Demokratike thekson se edhe kur kryeministri u rikthye në seancë, “zgjodhi të shfrytëzojë kohën për lojëra fjalësh dhe interesa partiake, në vend që të ofrojë zgjidhje konkrete për qytetarët.”
PDK konsideron se kjo qasje e Qeverisë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit dhe përsërit thirrjen për veprime të menjëhershme për të mbrojtur qytetarët.



