PDK-ja: Mungesa e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen “Kalabria” rrezikon shëndetin e qytetarëve

18 tetor 2020 | 14:45

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka kritikuar qeverisjen e kryeqytetit për mungesën e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen Kalabria, raporton “Epoka e re”.

Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri e ka konsideruar si të pafalshme që të gjitha qeverisjet komunale që kanë udhëhequr deri tani me Prishtinën ua kanë kthyer shpinën qytetarëve dhe i kanë lënë ata të përballen me qindra probleme.

“Po shohim këtu lagjen Kalabria ku qytetarët e saj janë lënë nën kundërmimin e erërave të ujërave të zeza. Premtime të pafundme, i janë dhënë kësaj lagjeje nga të gjitha partitë që kanë udhëhequr me kryeqytetin, si nga LDK-ja ashtu edhe nga LV-ja. Ndërsa, qeverisja aktuale karakterizohet me zvarritje të pafundme të punimeve, ku 180 ditë të caktuara për secilin projekt të nisur nuk përfundojnë para tri apo tetë viteve”, ka thënë Retkoceri në një konferencë për medie.

Edhe asamblistja tjetër e PDK-së në Prishtinë, Suzana Vuqitërna-Kika ka deklaruar se mosveprimi nga ana e komunës për vendosjen e kolektorit po e rrezikon jetën e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimin e bizneseve në lagjen Kalabria.

“Unë jam e shqetësuar për fëmijët e kësaj lagjeje që dalin të luajnë dhe shkojnë në shkollë në këtë periudhë kur ka reshje të shpeshta të shiut. Ata rrezikojnë të bien në gropat e thella me ujë dhe paramendojeni se çfarë mund të ndodhë. Kjo gjendje është tejet e rrezikshme për shëndetin e secilit banor të lagjes Kalabria, sepse ekziston rreziku i përhapjes së infeksioneve ose ndonjë epidemie pikërisht nga kundërmimi i ujërave të zeza”, ka thënë Vuqitërna-Kika.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona për testin e radhës zbret në ‘Camp Nou’, në…