PDK-së në Gjilan i duhet konkurrencë e pastër vlerash morale

21 shkurt 2019 | 11:58

Nga Izmi ZEKA

Siç dihet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka filluar një proces zgjedhor, me sloganin “Dekada e Re”, ku janë përfshirë mijëra aktivist nga gjitha pjesët e Kosovës për të filluar zgjedhjen e strukturave të reja udhëheqëse për mandatin e ardhshëm partiak.

Ideja parësore e partisë në këtë fazë është riorganizimi dhe funksionalizimi i të gjitha strukturave të partisë me qëllimin kryesor: hapja e partisë për angazhimin e kuadrove dhe aktivistëve të ri gjithandej Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan po ashtu është në prag të fillimit të mbajtjes së kuvendeve zgjedhore të nëndegëve, ku deri me tani mund të themi se ka angazhim respektivisht interesim të aktivistëve, anëtarëve, simpatizantëve të PDK-së dhe shtresave tjera të qytetarëve, për një proces të hapur demokratik zgjedhor për konsolidimin e mirëfilltë të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan ka traditë të gjatë të organizimit të zgjedhjeve të brendshme, por një gjë që bie në sy edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, është tendenca e një grupi minor – destruktiv për të minuar punën dhe angazhimin e mijëra aktivistëve të devotshëm në zhvillimin dhe përgatitjen e partisë në rimarrjen e pushtetit lokal, si nevojë urgjente dhe të domosdoshme për qytetin tonë.

Qëllimi imediat i Degës së PDK në Gjilan, si të gjitha degët tjera të mëdha, është hapja e dyerve për të gjithë ata aktivistë, simpatizantë, ekspert të fushave të ndryshëm që kanë interesimin dhe vullnetin për të marr përgjegjësi karshi kërkesave të qytetarëve.

Risia në këto zgjedhje është se kryetari i degës do të zgjidhet drejtpërdrejtë nga vota e delegatëve, që do të vijnë si rrjedhoje e kuvendeve të nëndegëve. Kësi soji, kjo garë për të parin e degës do të fuqizojë demokracinë e brendshme partiake. Zgjedhja e kryetarit të degës gjithherë ka zgjuar interesim të madh si brenda partisë, jashtë saj, po ashtu edhe te grupet e interesit.

“Dekada e Re”, e cila në vete përmban: besim, zhvillim dhe integrim, është e kuptueshme që përmbushja e kësaj platforme do të mund të bëhet vetëm nga ata të cilët bartin cilësi të larta kombëtare, morale, profesionale, intelektuale e politike.

Prandaj të gjithë ata kandidatë të mundshëm për të parin e partisë, duhet të përmbushin kriteret minimale: morale, intelektuale, etike, profesionale, etj.

Këtë pozitë udhëheqëse të degës, nuk mund ta kenë ata të cilët nuk e ndjejnë PDK-në të veten; ata të cilët kanë tentuar, edhe sot tentojnë, ta komprometojnë e shantazhojnë publikisht udhëheqjen e partisë.

Për kryetar dege nuk mund të fitojnë ata të cilët bëjnë linçime publike, shfaqin urrejtje dhe mosdurim ndaj aktivistëve të partisë, të cilët kanë mendim ndryshe.

Megjithatë me rëndësi është që procesi zgjedhor të vazhdojë dhe më kryesorja, strukturat e ardhshme udhëheqëse të vijnë vetëm nga vota e lirë e përfaqësuesve të devotshëm të zgjedhur nga terreni të cilët kanë vetëm një interes: kthimin e partisë në pushtet për qytetarët e jo të agallarëve dhe njerëzve prepotent.
PDK nga ky proces do të jetë e fuqishme dhe do të ofrojë platformë për qytetin tonë i cili është katandisur nga një qeverisje e cila nuk meriton të vazhdojë më tutje.
Nga ky proces i brendshëm varet edhe e ardhmja e Gjilanit dhe perspektivës së tij. Prandaj dhe janë të rëndësishme këto zgjedhje jo vetëm për Gjilanin por për tërë Anamoravën.

Një situatë që mendoj nuk është e re, ku kryetari i partisë Kadri Veseli mbrëmë kishte deklaruar në “Rubikon”, ishte mjaftë premtuese dhe interes i shtetit duke pasur parasysh se çfarë janë partitë ashtu do të jenë edhe institucionet.

Është për tu vlerësuar qëndrimi i kryetarit të partisë ku ndër të tjera thotë: “Njerëzve të korruptum që e kanë shfrytëzuar PDK-në për interesa të veta, kam me ua shkurtu perspektivën brenda PDK”.

E kuptoj se qëndrimet e tilla paraqesin sfidë në Kosovën tonë të re, por imediate është që shteti ynë të lirohet nga kjo gangrenë dhe partitë të mos bëhen strehë e tyre, strehë e atyre që keqmenaxhuan paranë publike, ata të cilët i krijuan imazh të keq edhe shtetit të Kosovës. Prandaj ballafaqimi me këtë sfidë paraqet hapin e rëndësishëm për një pastrim të skenës politike nga të korruptuarit, shantazhuesit, profiterat, etj.

Partitë ballafaqohen edhe nga një fenomen që është i papresidant siç është fenomeni i njerëzve të cilët për nga ritmi i ecjes kanë mbetur diku në ekzaltimet e vitit 2007, thënë me një fjalë, ora u është ndalur që atëherë.
Reformimi i partive bëhet mbi bazën e ideve, kreacionit dhe nivelit të përgatitjes në koherencë me zhvillimet e kohës. Ka raste kur në partitë tona vrapojnë pas interesave personale që në fakt edhe kjo mund të jetë normale (por jo duke e tepruar dhe pa merita) që në fakt mbytë idenë duke shkaktuar katandisje edhe në vetë subjektin politik. Ka të tillë që fajtor i quajnë edhe vëllezërit Frashëri për angazhimin e tyre politik e kombëtar. E ngaherë thonë pse Naimi ishte në kohën e perandorisë ministër i Arsimit në Stamboll.

Apo vëllai i tij Abdyli njëri ndër ideologët kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E po ashtu edhe vëllai i vogël Samiu, kryetar i Komitetit të Stambollit në vitin 1879 ku ishin kokat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Apo shpesh përmendin edhe rastin e vëllezërve Topulli që një familje e tërë u dogj për Shqipërinë dhe luftuan për të.

I bëjnë fajtor pse ishin vëllezër të një nëne. Ka të tillë që edhe familjen e vëllezërve dhe motrave Qiriazi e zënë në gojë pse e kishin hapur shkollën shqipe në Korçë, e çka jo!

Po të ishte ky parim i shëndoshë, me siguri statuti dhe programi i partisë do ta merrte parasysh dhe do ta sanksiononte në pikat themelore te funksionimit.

Prandaj, përdorimi i “preteksteve” te tilla, behet me qëllime të ngushta të individëve dhe grupeve të caktuara për të shmangur konkurrencën reale.

Demokracia është arti i të vepruarit me fuqinë e dijes, integritetit, moralit dhe paprekshmërisë në zhvillimin e shtetit, jo duke e dëmtuar atë por duke e drejtuar andej ka lëviz bota e civilizuar.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht kërkesave nga shumë kategori të sektorit publik për mos…