PDK: U mbrojtën institucionet e Kosovës, zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me komunikatë për media, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, duke kërkuar që zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese.
PDK ka thënë se rendi kushtetutes dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë mbrojtur.
“Pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, si shkaktar i krizave të njëpasnjëshme politike, i keqqeverisjes, i krizave ekonomike, i shpërdorimit të besimit të qytetarëve dhe i abstenimit nga përgjegjësitë ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.
Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të gatshëm për këtë proces të rëndësishëm demokratik dhe përmes votës së tyre të refuzojnë logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale”, thuhet në komunikatë.



