PDK: Vazhdon politizimi dhe familjarizimi i shërbimit civil në Komunën e Lipjanit/ Nënkryetari i Komunës punësohet si shërbyes civil

27 qershor 2025 | 12:26

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ka reaguar rreth vazhdimit të politizimit dhe familjarizimit në shërbimin civil të komunës së Lipjanit. Madje kjo degë akuzon drejtpërdrejt kryetarin e komunës, Imri Ahmetin për nepotizëm.

Njoftimi i plotë i PDK-së dega në Lipjan:

Vazhdon politizimi dhe familjarizimi i shërbimit civil në Komunën e Lipjanit: nënkryetari i Komunës punësohet si shërbyes civil.

Nën ethet e humbjes së pushtetit, Komuna e Lipjanit, e udhëhequr nga Imri Ahmeti, po vazhdon me politizimin dhe familjarizimin e shërbimit civil komunal. Në krye të këtij procesi qëndron, as më pak e as më shumë, se nënkryetari i komunës së Lipjanit, Lulzim Qerimi.

Kur nënkryetari i komunës punësohet në shërbimin civil (administratën komunale) vetëm disa muaj para zgjedhjeve, pa e përfunduar mandatin dhe madje në të njëjtin institucion ku ka ushtruar funksion politik (si i dyti në hierarkinë komunale), kemi të bëjmë me një konflikt të hapur interesi (shkelje të ligjit), dyshime serioze për ndikim politik, kapje të administratës komunale, cenim të parimeve themelore të legjislacionit për shërbimin civil si dhe humbje të besimit në integritetin e institucioneve qeverisëse.

Një zyrtar politik që ka pasur rol të drejtpërdrejtë dhe lidhje të ngushta me bartësin e funksionit politik, në këtë rast, Kryetarin e Komunës, ngjallë dyshime të forta për favorizim politik në procesin e përzgjedhjes si dhe për ndikim në vendimmarrjen e komisionit të rekrutimit. Kalimi i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm nga pozita politike në një pozitë administrative rrezikon politizimin e administratës përmes punësimeve klienteliste, duke cenuar rëndë parimin e meritokracisë.

Sektori për Informim i PDK-së dega në Lipjan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta e përditshme britanike “Telegraph” e ka renditur bregdetin shqiptar…